Dialogu dështoi pa lindur, forumi i dialogut opozitar u refuzua që në kërkesën e parë nga partitë e djathta

27/01/2026 15:47

Forumi i dialogut opozitar dështoi pa lindur mirë.

Refuzimi i parë politologut Ermal Hasimja i erdhi nga Agron Shehaj i cili i dha mbështetje për garën për Tiranën. Për kreun e Mundësisë nuk është koha për fjale por për vepra reale.

“Ne jemi në një moment historik për Shqipërinë, për herë të parë të korruptuarit po dalin para drejtësisë, nuk kishte ndodhur kurrë më përpara, si ata kryetarët e partive në opozitë dhe numri dy i qeverise dhe kryetari i Bashkisë se Tiranës janë ose të akuzuar ose në burg me akuza shumë të rënda për korrupsion. Të ulemi në një tryezë për të diskutuar për këtë çështje, që të gjithë e dimë që kemi qëndrime totalisht të kundërta me njëri-tjetrin nuk ka asnjë kuptim. Rezultati që arrijmë është zhvendosja e vëmendjes, nga vendimi që këto ditë do marre Gjykata Kushtetuese me fundin e pandëshkueshmërisë në Shqipëri”, u shpreh deputeti dhe kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj.

Përgjigje negative ishte dhe nga Lëvizja Bashkë. Ftesa për dialog për deputetin Redi Muçi është një lëvizje taktike e Sali Berishës ndonëse është e iniciuar nga shoqëria civile.

“Ne përfaqësojmë një pjesë të elektoratit që sigurisht është e zhgënjyer madje e revoltuar nga qeveria korruptive e Edi Ramës por që nuk do donte kurrë ta shihte Sali Berishën kryeministër, të vendit. Ne besojmë se jemi në prag të ndryshimeve madhore për vendin tonë dhe falë punës që po bën sistemi i drejtësisë në hetimin e politikanëve të vjetër, sa i përket manovrave të këtyre që quhen të “pavarur” për të lënë mënjanë ndasitë sepse u dhimbset shumë Shqipëria, ne thjesht i konsiderojmë makinacione të vëna në lëvizje nga Sali Berisha”, u shpreh deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi.

Një dite më parë polititologu Ermal Hasimja bashkëe me disa përfaqësues të shoqërisë civile u vetëofruan si ndërmjetës të dialogut politik mes forcave opozitare, por tentativat për tu bërë të gjithë bashkë duken një mision i pamundur pasi pa nisur mire takimet nismëtarët morën 2 refuzime njëkohësisht.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB