Real Madrid/Në gjurmët e të atit; djali i Marcelo nënshkruan kontratën e parë profesionale
Ashtu sic ishte paralajmëruar, pasditen e kësaj të hëne Federata Shqiptare e Futbollit prezantoi strategjinë
‘Vision to Victory 2026-2030’. Bëhet fjalë për një strategji me prokjekte që pritet të sjellin ndryshime cilësore në futbollin shqiptar në 4 vitet e ardhshme e që është bërë ë bashkëpunim me ekspertët më të mirë të UEFA-s pas një pune kërkimore të gjatë.
Të pranishëm në këtë event shumë të rëndësishëm për zhvillimin ishin Presidenti i FSHF, Armand Duka, Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, Presidentë dhe përfaqësues të klubeve shqiptare, drejtues të Shoqatave Rajonale të Futbollitt, anëtarë të komunitetit të futbollit, ish-futbollistë të njohur, sponsorë, organizata partnere, media, etj.
Pasi bëri një bilanc të strategjisë së kaluar ‘Futbolli për Kombin’, Presidenti Duka shpalosi për të pranishmit dhe opinionin publik strategjinë për katër vitet e ardhshme, “Vision to Victory 2026-2030”, duke theksuar se ajo përfaqëson një vizion të qartë për zhvillimin e futbollit shqiptar në të gjitha nivelet. Sipas kreut të qeverisë së futbollit shqiptar, strategjia synon rritjen e pjesëmarrjes dhe cilësisë së futbollit, forcimin e strukturave organizative dhe investime të qëndrueshme në infrastrukturë dhe formimin e talenteve të rinj.
‘Kjo strategji është ndërtuar për të qenë e matshme, e zbatueshme dhe e lidhur drejtpërdrejt me realitetin e futbollit shqiptar.Deri në vitin 2030, synojmë që të arrijmë një numër futbollistësh djem të regjistruar 26 mijë nga 24,078 që janë sot, pavarësisht sfidave demografike me të cilat përballet vendi. Kjo rritje do të vijë përmes zgjerimit të programeve në shkolla dhe komunitete, forcimit e rolit të shoqatave rajonale, mbështetjes së drejtpërdrejtë të klubeve për moshat e vogla, krijimit të më shumë aktiviteteve të organizuara për fëmijët dhe të rinjtë, përmirësimit të infrastrukturës, vazhdimit te projekteve “Uniforma Ime” dhe ‘Topi YT’-tha presidenti Duka që më pas e përqendroi vëmendjen te infrastruktura
‘Në aspektin e infrastrukturës, deri në vitin 2030 synojmë të shtojmë 30 deri në 40 fusha të reja futbolli, nga projektet e Federatës, kryesisht në rajonin e Tiranës, ku edhe dendësia e popullsisë është edhe më e madhe, që mund të ndikojë në përmirësimin e raportit popullsi–fusha, e cila fatkeqësisht sot është në nivele të pakënaqshme me 1 fushë futbolli për 18,981 banorë në një kohë që në vendet më të zhvilluara europiane kanë një raport: 1 fushë futbolli për 3800 banorë.’-vijoi Duka në fjalën e tij-Por objektivi real dhe nevoja e domosdoshme në rang kombëtar duhet të jetë ndërtimi i 200 fushave të reja futbolli, i cili nuk mund të arrihet nga Federata, por kërkon mbështetjen nga buxhetet e shtetit’
Një rëndësi, Duka i kushtoi edhe bashkëpuniumit me klubet, institucionet dhe partnerët strategjikë, duke e cilësuar këtë proces si themelin për arritjen e objektivave afatgjata.
‘Objektiv strategjik shumë i rëndësishëm mbetet rritja e numrit të spektatorëve në shkallët e stadiumeve në kampionatet kombëtare të të gjitha niveleve. Kjo do të arrihet në bashkëpunim me klubet profesioniste dhe akademitë, duke i asistuar ato me projekte konkrete dhe duke synuar të njëjtën qasje si në ekipin kombëtar A-tha Duka që nuk harroi të prekë edhe çështjen e financave të klubeve dhe forcimin e tyre
‘Forcimi financiar i klubeve dhe akademive të futbollit. Ato sot vuajnë financiarisht dhe zhvillimi do të jetë shumë i ngadaltë pa mbështetje e incentiva financiare qoftë dhe i përkohshëm. Do të vazhdojmë mbështetjen financiare direkte nga buxhetet e federatës, siç kemi bërë këtë për vitin 2026 me 3 milion euro, dhe do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me Qeverinë për finalizimin e ligjit të Sponsorizimeve në Sport. Progresi i futbollit dhe e të gjithë sportit shqiptar do të jetë shumë i ngadaltë pa një ligj të tillë”, – shtoi më tej kreu i FSHF
Në të njëjtën kohë, Armand Duka nënvizoi edhe objektivat për ekipet kombëtare djem e vajza si dhe ato për ekipin kombëtar U-21 që janë; pjesëmarrja e ekipit A të djemve në turnetë finalë Evropianë dhe Botërorë dhe renditja në vendin e 50-të të FIFA, Ekipi U-21 kalimi i fazës së grupeve në Euro 2027, i cili do të zhvillohet në vendin tonë dhe kualifikimi në fazën finale të Euro 2029, qëndrimi në Ligën B i ekipit kombëtar të vajzave dhe synimi për t’u kualifikuar në kampionatin Europian 2029 në Gjermani.
‘Katër vitet që vijnë do të jenë vendimtare. Me përkushtim, profesionalizëm dhe bashkëpunim, jam i bindur se do ta çojmë futbollin shqiptar në një nivel të ri” – përfundoi fjalën e tij Presidenti Armand Duka.
Top Channel