“Poeti i filmit” përkujtohet në 90-vjetorin e lindjes, Roza Anagnosti tregon amanetin e bashkëshortit: Dhimitër, të kam në zemër përjetësisht!

24/01/2026 13:28

Babai i kinematografisë shqiptare, ‘Poeti i filmit”, “Nderi i Kombit”, Dhimitër Anagnosti u përkujtua në 90-vjetorin e lindjes me një koncert në Universitetin e Arteve, nën kujdesjen e Roza Anagnostit, me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit.

“Krijimtaria e Dhimitër Anagnostit ka qenë një rrugëtim i dhimbshëm, por i bukur. Gjatë karrierës të tij pati suksese dhe mori kënaqësi të paparë nga publiku. Ka qenë një privilegj për mua që kam rrugëtuar me të 61 vite. Dhimitër… të kam në mendje dhe në zemër përjetësisht“, u shpreh aktorja Roza Anagnosti.

Nën tingujt e melodive nga filmat që mbajnë vulën e tij në skenë u ngjitën kolegë të regjisorit, për të interpretuar disa nga poezitë që ai shkroi në pjesën e fundit të jetës, pjesë e veprës Treni ADN.

Pesë muaj pas humbjes së dashurisë së jetës, Roza Anagnosti tregoi amanetin e mjeshtrit të madh.

Në studion e tij, kishte lënë një shënim: ‘Unë po iki, ju lutem m’i vadisni filizat, këtë amanet kam’. Dhe ne këtë bëmë këtu sonte”, shton aktorja.

Kjo mbrëmje ishte moment mirënjohjeje për trashëgiminë artistike të një autori që ka formësuar breza dhe ka ndërtuar kujtesën tonë kolektive përmes filmit.

“Na solli vërtet të gjitha emocionet e atyre viteve shumë të bukura. Dhimitër Anagnosti ka qenë një profesor për të gjithë”, shprehet aktorja Marjeta Larja.

“Ishte e jashtëzakonshme mënyra si bashkëpunonte me të gjithë. Jo vetëm aktorët, por edhe kameramanët e të gjithë të tjerët“, shprehet vajza e Dhimitrit, Era Anagnosti.

Doja të sillja momente që i kanë formësuar të gjithë dhe janë bërë pjesë e kujtesës kolektive e të gjithë popullit shqiptar. Mjafton të shikojmë sekuenca nga filmat, karakteret që na sjellin ndër mend situate të ndryshme për të kuptuar sa shumë i ka dhënë jo vetëm kinematografisë, por edhe historisë së kombit”, tregon regjisorja Driada Dervishi.

“Poeti i filmit” la gjurmë të pashlyeshme në historinë e artit filmik shqiptar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB