LIVE/ PD 3 orë në shesh kundër Ramës, hidhet molotovë dhe gaz lotsjellës. Policia shpërndan turmën me autobotë uji. 11 efektivë dhe disa protestues të plagosur

24/01/2026 19:35

Ka nisur protesta e dytë kombëtare e Partisë Demokratike përpara Kryeministrisë.

Kryedemokrati Sali Berisha ka kërkuar nga qytetarët që sot “t’i bëjnë gjyqin kryeministrit”, duke marrë pjesë në protestën e thirrur në orën 17:00 para Kryeministrisë.

Pak orë para protestës, Berisha u ka bërë thirrje të rinjve që të “ngrihen në lartësinë e këtij misioni”.

“I bëj thirrje të rinjve të ngriheni në lartësinë e këtij misioni. Sot ju keni shansin e madh të riktheni edhe njëherë shpresën, besimin, lirinë, të drejtat, të ardhmen tuaj dhe të shqiptarëve.”-shkruan Berisha.

Përmes protestës PD kërkon largimin e Edi Ramës, ndërsa detajet e këtij tubimi po mbahen ende diskrete.

Policia e Tiranës ndërkohë ka merr masa, duke nxjerrë në terren 1300 forca policore për ruajtjen e rendit dhe sigurisë politike. Kryeministria nga ana tjetër ka fortifikuar dyert dhe është e rrethuar. Pritet të ketë prezencë dhe të zjarrfikësve dhe ambulancës sipas protokollit.

Pak minuta para nisjes së protestës, lideri i PD-së, Sali Berisha shkoi në seli dhe nga aty, u nis me simpatizantët e tij drejt Kryeministrisë.

20:53 Fotolajm/ Protesta e dytë kombëtare e PD-së, prezent edhe djali i Sali Berishës

Opozita organizoi protestën e dytë kombëtare përpara Kryeministrisë dhe Kuvendit, të cilat u shoqëruan me tension dhe trazira. Përveç deputetëve të PD-së, i pranishëm ishte edhe djali i liderit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha. Ai iu bashkua protestës përpara Kryeministrisë dhe së bashku me qytetarët, u zhvendos në Kuvend.

20:24 Tubimi i PD-së përpara Kryeministrisë dhe Kuvendit, Berisha nga selia: Lironi 25 protestuesit paqësorë, po përmbysim diktaturën e dytë

Pas përfundimit të protestës së opozitës përballë Kryeministrisë dhe Kuvendit, lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, doli me një deklaratë në seli. Ai i kërkoi komisariateve të lironin 25 protestuesit e arrestuar dhe se ky është kilometri i fundit drejt fitores.

20:17 Sulmet me moltovë në Kryeministri, burime nga policia: 11 efektivë po marrin ndihmë mjekësore

Protesta e dytë kombëtare e PD-së nuk u kalua pa tensione dhe dëme. Burime për gazetaren e Top Channel, Dorjana Bezat, bëjnë me dije se 11 efektivë janë plagosur nga sulmet me moltovë dhe po marrin ndihmë mjekësore.Ndërkohë, grupet hetimore po vijojnë punën për dokumentimin ligjor të veprimeve të dhunshme të protestuesve ndaj punonjësve të Policisë.

20:09 Përplasjet e ashpra përpara Kuvendit, deputetët e PD-së tentojnë të ndalojnë autobotin e ujit

Përplasje të ashpra kanë ndodhur përpara godinës së Kuvendit mes protestuesve, deputetëve të PD-së dhe policisë. Gjatë protestës, policisë i erdhën në ndihmë dhe autobote, të cilët tentuan të shpërndanin me ujë qytetarët. Deputetët e PD-së ndërhynë menjëherë për të mos lejuar autobotin të lëvizte, duke sjellë përplasje të tjera me policinë.

19:46 “Na hodhën spraj në fytyrë”, Luçiano Boçi për Top Channel: Protesta është pa skenarë, policët nuk po ushtrojnë detyrën e tyre

Protesta e opozitës është zhvendosur përpara godinës së Kuvendit, ku përplasjet e ashpra mes protestuesve dhe policisë nuk kanë munguar. Në një prononcim gjatë edicionit informativ të Top Channel, Luçiano Boçi u shpreh se policia ka hedhur spraj drejt fytyrës së deputetëve dhe protestuesve për t’i shpërndarë.

19:31 Përplasjet përpara Kuvendit/ Protestuesit hedhin objekte, policia i kundërpërgjigjet me gaz lotsjellës, përfshihen edhe deputetët e PD

Protesta e opozitës është zhvendosur përpara ambienteve të Kuvendit. Përplasjet nuk kanë munguar as në këtë zonë, ku protestuesit kanë hedhur objekte drejt policisë, ndërkohë që këta të fundit janë kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës për t’i shpërndarë.

19:17 Tubimi i opozitës përpara Kuvendit/ Protestuesit tentojnë të futen brenda në godinë, deputetët e PD përplasen me policinë

Përplasjet nuk kanë munguar me policinë, pasi protestuesit kanë tentuar të futen brenda në godinë. Gjatë tensioneve edhe deputetët e PD-së u përplasën me policinë, ndërsa këta të fundit hodhën gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.

19:12 Molotovët drejt Kryeministrisë, tre efektivë policie transportohen në spital me djegie

Molotovët drejt Kryeministrisë, tre efektivë policie transportohen në spital me djegie

18:56 Molotovë dhe fishekzjarrë drejt Kryeministrisë, protesta e opozitës zhvendoset në Kuvend

Partia Demokratike mblodhi protestën e dytë kombëtare përpara Kryeministrisë. Pas fjalimit të Sali Berishës, protestuesit filluan të qëllonin me bomba molotovë dhe fishekzjarrë godinën e Kryeministrisë, ndërsa garda iu kundërpërgjigj me gaz lotsjellës. Pas kësaj, protestuesit u zhvendosën drejt godinës së Kuvendit.

18:50 Tensione në protestën e opozitës, hidhen molotovë drejt Kryeministrisë, garda kundërpërgjigjet me gaz lotsjellës

Menjëherë pas përfundimit të fjalimit të Sali Berishës, kanë nisur tensionet përpara Kryeministrisë. Protestuesit e mbledhur në tubimin e thirrur nga PD-ja, filluan të godasin godinën e Kryeministrisë me bomba molotovë dhe fishekzjarrë. Forcat e policisë ndërhynë menjëherë për të shuar zjarrin që u ndez përballë tyre, ndërkohë që Berisha valëviste flamurin shqiptar nga podiumi.

18:49 “U krekos me ftesën e Trump për Bordin e Paqes”/ Protesta kombëtare para Kryeministrisë, Berisha: Ramën nuk e pranonte salla në Davos

“Një javë të tërë Rama krekosjen e me ftesën e Trump. E pat se si Rama e përdori atë ftesë për të shitur vetën, sikur ishte themeluesi por çfarë ndodhi, ndodhi që në mbledhjen themeluese të Bordit aty ku u firmos Bordi i Paqes në Davos Edi Ramën nuk e pranonte salla”, u shpreh Berisha.

18:37 Protesta e opozitës, Berisha në podium: U ngritëm nga hiri si feniksi, plagosëm për vdekje bishën narko-diktaturë

Sali Berisha u ngjit në podiumin e vendosur përpara Kryeministrisë në protestën e dytë kombëtare nga opozita.

“Sot ne jemi në kilometrin e fundit me ndihmën e Zotit, asgjë s’do të na ndalë drejt fitores tonë. Sot ne jemi para triumfit të madh. Shumëkujt triumfi mund t’i duket shumë larg, kur sheh udhëkryqin në të cilin ndodhet Shqipëria”, tha ndër të tjera Berisha.

17:42 Nis protesta përpara Kryeministrisë, Luçiano Boçi: Duhet ta shembim këtë qeveri

Partia Demokratike ka organizuar protestën e dytë kombëtare përpara Kryeministrisë. I pari që e mori fjalën në podium ishte zv/kryetari i PD-së, deputeti Luçiano Boçi, i cili i bëri thirrje protestuesve që synimi i opozitës është të rrëzojë qeverinë.

17:00 Nis protesta e Partisë Demokratike, Sali Berisha mbërrin në Kryeministri

Partia Demokratike do të mbajë këtë të shtunën protestën e dytë kombëtare përpara Kryeministrisë. Vetëm pak minuta nga fillimi i protestës, lideri i PD-së, Sali Berisha, ka mbërritur në ambientet e selisë. Nga aty, ai do të niset së bashku me simpatizantët e tij drejt Kryeministrisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB