Nuk do të ketë aministi për komisionerë e individë të përfshirë në manipulime votash, deklaroi kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i cili bëri thirrje për hetim gjithëpërfshirës dhe ndëshkim për personat e dyshuar për manipulim të votave brenda partive politike në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Apeli i liderit të partisë fituese të zgjedhjeve Lëvizja Vetëvendosje, erdhi pasi një ditë më parë, autoritetet ndaluan mbi 100 persona nën dyshimin e tjetërsimeve e votave. Reagimi i Kurtit përmes Facebookut, erdhi gjithashtu pas kritikave të lëshuara në drejtim të tij për mungesë reagimi ndaj dyshimeve për manipulime të votave kur ato dolën në dritë javë më parë.
“Komisionerë e individë, që në mënyrë klandestine, janë përfshirë në manipulime votash brenda subjekteve politike duke dëmtuar kolegë e subjekte politike nuk kanë amnisti. Levizja Vetëvendosje ka qenë gjithnjë gardiane e ruajtjes së vullnetit politik të shprehur përmes votës në kuti të votimit dhe ashtu do të qëndrojë përherë”-shkruan Kurti.
Javën e kaluar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u detyrua ta nisë rinumërimin e plotë të votave, pasi kishte gjetur mospërputhje në votat për kandidatët për deputetë. Kur rinumërimi ka përfunduar në pothuajse gjysma e qendrave të votimit rezulton se rreth 80 mijë vota janë të pasakta, sipas Eugen Cakollit nga organizata joqeveritare, Instituti Demokratik i Kosovës. Në mesin e kandidatëve për deputetë të cilëve u janë hequr më së shumti vota gjatë rinumërimit nga partitë kryesore, përfshirë vetë Vetëvendosjen.
Kurti nguli këmbë se dyshimet duhet të hetohen dhe se “manipuluesit duhet të ndëshkohen, këto raste nuk duhet të na shfaqen kurrë më në të ardhmen”. Autoritetet janë duke kryer hetime në tri komuna, Prizren, Ferizaj dhe Malishevë, me Prizrenin që dyshohet si vendi me nivelin më të lartë të manipulimit të votave. Në Kosovë, një veprim i tillë konsiderohet vepër penale e dënueshme me burg, megjithatë tani vonë organizata joqeveritare, ÇOHU, e publikoi një hulumtim që tregoi se mbi 90 për qind e rasteve për manipulime zgjedhore përfundojnë me dënime me kusht ose gjoba.
Top Channel