Kërkesa e Ramës për pezullimin e Ballukut, ç’ndodhi sot në Gjykatën Kushtetuese, reagimet nga Kryeministria, Kuvendi dhe SPAK

22/01/2026 21:09

Pezullimi nga detyra për llogari të SPAK të  zëvendës kryeministres dhe ministres Belinda Balluku përplasi në gjykatën kushtetuese të tre pushtetet, ku secili prej tyre këmbënguli se me kazusin Balluku ishte ndërhyrë në territorin e vet.

Përpara se të dëgjohej qeveria, kuvendi dhe SPAK, Gjykata e Posaçme që ka aprovuar masën ndaj deputetes dhe ministres njoftoi mos pjesëmarrjen në seancë plenare , mbasi në një shtet demokratik një gjykatë nuk mund të thirret si palë për të mbrojtur një vendim të dhënë prej saj.

Gjatë shqyrtimit të kërkesës së kryeministrit që kërkon zgjidhje të mosëmarrëveshjes së kompetencave  përfaqësuesja e Këshillit të Ministrave i kujtoi gjykatës kushtetuese se po kjo gjykatë ka dhënë vendim 26 vite për lëshimin e autorizimit edhe për ministrin kur nuk është deputet çka bën të qartë sipas saj rrugën që duhej ndjekur edhe me Ballukun

“Mendimi i njëanshëm i pezullimit që është marrë për pezullimin e zv.kryeministres dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, haptazi nuk e përmbush këtë standard kushtetues dhe cënon parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve”, tha Eriola Shia, përfaqësuesja e Këshillit të Ministrave.

Kryeministria, kuvendi edhe presidenca ishin në një linjë për imunitetin e deputetit dhe ministrit

“Vendimi i GJKKO defakto barazohet me shkarkimin e një ministreje duke mos mundësuar ushtrimin e detyrave”, tha Mimoza Arbi përfaqësuese e Kuvendit.

“Në rastin konkret Kuvendi është organi konkret që ka kompetencë të japë autorizimin për masat e sigurimit që pengojnë detyrën e ministrit”, u shpreh , përfaqësuesja e Këshillit të Ministrave.

“Këshilli i Ministrave merr vendime çdo javë, dhe mund të dalë një prokuror që të thotë se këshilli nuk duhet lejuar të marrë vendime sepse rrezikon të kryej vepra penale, motivet për të cilat justifikohet masa që u propozua për ministren në këtë rast”, tha Ilir Rusmaili, përfaqësues i presidencës.

SPAK insistoi se duhej respektuar hierarkia e shkallëve të gjyqësorit.

 “Duke pasur parasysh pozitën e të pandehurës si zv.kryeministre dhe ministre e një prej ministrive më të mëdha si në strukturë ashtu edhe në buxhet dhe duke marrë parasysh ndikimin e mundshëm të saj në proceset tenderuese dhe përdorimin e detyrës publike, rrezikshmëria shoqërore rezulton e lartë, parashtrojmë se ekziston rreziku që të kryejë vepra të tjera penale, të pengojë hetimin të manipulojë provat apo edhe të largohet”, tha prokurori i SPAK, Dritan Prençi.

Pasi dëgjoi edhe precedenca të mëparshme si rasti Veliaj dhe Berisha, SPAK i kujtoi edhe gjykatës kushtetuese se çfarë kufinjsh kishte kapërcyer ajo  me vendimin që shpalli më herët duke pezulluar pezullimin e Ballukut

“Në vetvete cënon parimin e ndarjes së pushteteve sipas nenit 7 të kushtetutës, në këtë kontekst kryeministri si kreu i ekzekutivit, nuk mund të aktivizojë mekanizma që pengojnë drejtpërdrejt në një proces penal, pasi krijon rrezik real në ndërhyrjen e pushtetit gjyqësor , i cili gëzon pavarësi të garantuar nga ky nen”, u shpreh prokurori Prençi.

Përpara se seanca të niste Partia Mundësia e udhëhequr nga deputeti Agron Shehaj protestoi në emër të drejtësisë.

“Kjo do të thotë që ne dhe populli shqiptar i kanë sytë nga drejtësia dhe kanë shumë shpresë te drejtësia dhe po presin që Gjykata Kushtetuese të bëhet një më qytetarët, me drejtësinë dhe jo me të korruptuarit, kjo është simbolika e kësaj proteste para gjykatës”, u shpreh Shehaj.

Gjykata kushtetuese mbasi bëri të gjitha pyetjet dhe mori përgjigjet e vendosi të shtynte seancën.

13:29 SPAK: Pezullimi, masë e përkohshme. Pretendimi se ka bllokuar funksionimin e Qeverisë, nuk qëndron

Prokuroria e Posaçme është shprehur kundër kërkesës së kryeministrit për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të masës së pezullimit ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku. Prokurori i SPAK gjatë gjatë seancës në Kushtetuese se nuk ka një konflikt kompetencash mes GJKKO-së dhe Kryeministrit. “Nuk konstatohet ekzistenca e një konflikti kompetencash. Nuk ka një ndërveprim mes Gjykatës dhe Kryeministrit. Marrëdhënia e pretenduar nga kryeministri buron nga Kushtetuta dhe nuk mund të pretendohet për konflikt kompetencash. A ka konflikt konkret mes GJKKO dhe kryeministrit? Kushtetuesja e ka argumentuar se çdo organ ka kompetencat e veta”, tha përfaqësuesi i SPAK.

11:25 Masa e pezullimit ndaj Ballukut në GJKKO, përfaqësuesi i Qeverisë: Çfarë ndodh nëse Apeli e rrëzon?

Gjatë seancës për të shqyrtuar kërkesën e kryeministrit lidhur me vendimin e GJKKO-së për pezullimin nga detyra të zv.kryeministres Belinda Balluku, përfaqësuesi i kryeministrisë u pyet edhe për dallimin mes pozitës së kreut të qeverisë dhe ministrit, sa I përket pezullimit nga gjykata.

10:52 “Pezullimi, njësoj si shkarkimi”/ Përfaqësuesja e Kuvendit: Janë shkelur dispozitat kushtetuese

“Vendimi i SPAK krahasohet me shkarkimin e një ministri duke mos mundësuar ushtrimin e detyrave. Vendimi i pezullimit është de facto një shkarkim. Ndalohet pjesëmarrja e ministrit në Këshillin e Ministrave. Kur të gjitha veprimet pezullohen, funksionari mbetet pa mundësi për të ushtruar detyrën. Një element tjetër që e afron pezullimin me shkarkimin, fakti që një vendim i Gjykatës pezullon një ministër, në këtë rast ky vendim është paaftë. Ky afat i hetimit, duke ditur dhe mënyrën sesa zgjasin hetimet, mund të jetë e barabartë me një mandat. Kjo e bën de facto që pezullimin e ka shkarkuar. Në këto kushte, janë cenuar dispozitat kushtetuese që përcaktojnë mënyrën e emërimit apo shkarkimit të një ministri.”-u shpreh përfaqësuesja e Kuvendit në Gjykatën Kushtetuese.

10:30 Përfaqësuesja e kryeministrit në GJK: Nuk ka të drejtë gjykata të pezullojë ministren, SPAK ka shkelur…

“A ka të drejtë gjykata të pezullojë një ministre? Ne argumentojmë se jo. Për ta bërë më të qartë, sjellim një shembull. Supozojmë se GJKKO do kishte lëshuar masën e arrestit për një deputet. A do duhet të priste sa përfundonte ankimin në të gjitha shkallat e gjykatat? Edhe Këshilli i Ministrave dhe kryeministri nuk kanë asnjë detyrim për të pritur shqyrtimin. Në lidhje me themelin e kërkesës. Deputeti gëzon imunitet, nuk mund të kontrollohet ose të arrestohet pa pëlqimin e Kuvendit. Nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdolloj forme pa autorizimin e Kuvendit. Autorizimi i Kuvendit kërkohet jo vetëm për masa kufizimi personal. Çfarë mbron imuniteti i deputetit, lirinë apo detyrën që kryen si deputet. Synon mbrojtjen e detyrës së deputetit. Në të kundërt nuk do kishte asnjë arsye pse Kushtetuta ta mbronte lirinë personale. Vetë GJK ka mbajtur qëndrimin se autorizimi nga Kuvendi është i nevojshëm për arrestin me burg dhe arrestin në shtëpi. Anëtarët e Këshillit të Ministrave po ashtu gëzojnë imunitet. SPAK nuk ka zbatuar jurisprudencës e Gjykatës Kushtetuese se ka sqaruar se edhe ministri që nuk është deputet, ka të njëjtin imunitet”-tha përfaqësuesja e Kryeministrit.

10:10 Nis seanca në Gjykatën Kushtetuese për Ballukun, GJKKO: Nuk do të marrim pjesë

Ka nisur seanca në Gjykatën Kushtetuese për çështjen e zv.kryeministres Belinda Balluku. Në gjykatë janë të pranishëm prokurorët e çështjes. Presidenti Begaj përfaqësohet nga Ilir Rusmali, këshilltar, Hemioni Braho, shef kabineti dhe Eriola Shia, Drejtore e përgjithshme. Ndërkohë Kuvendi përfaqësohet nga drejtoresha juridike, Mimoza Arbi. GJKKO përmes një reagimi zyrtar ka njoftuar nuk do të dërgojë përfaqësues me argumentin se “nuk mund të legjitimohet si palë në gjykimin kushtetues me kërkues Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB