“E dua mamin tim të bukur dhe babi është heroi im absolut”, kur Brooklyn Beckham admironte publikisht prindërit e tij

22/01/2026 20:47

Brooklyn Beckham kishte shprehur publikisht admirimin dhe dashurinë e tij për prindërit, David dhe Victoria Beckham, disa vite përpara përçarjes që raportohet sot në familjen e njohur britanike.

26-vjeçari, i cili së fundmi dyshohet se ka “sulmuar” prindërit e tij përmes një postimi në Instagram, dikur i cilësonte ata si njerëzit më të rëndësishëm në jetën e tij.

Pak ditë më parë, Brooklyn la të kuptohej në rrjetet sociale se David dhe Victoria po përpiqeshin të dëmtonin marrëdhënien e tij me bashkëshorten, Nicola Peltz. Por në vitin 2017, ai fliste krejt ndryshe për ta, duke shprehur mirënjohje dhe krenari të thellë që i kishte në jetën e tij. Në librin fotografik të publikuar në atë kohë, me titull “Çfarë shoh”, Brooklyn përfshiu dhjetëra fotografi të prindërve dhe vëllezërve e motrave të tij, të shoqëruara me mbishkrime plot admirim dhe dashuri.

Në një foto ku shfaqej me syze dielli nga kompania e nënës së tij, ai shkruante: “Jam shumë krenar për mamin tim”, ndërsa në një tjetër foto të Victoria Beckham shtonte: “E dua mamin tim. Ajo duket kaq e bukur këtu. Kjo është një foto që i bëra kur ishim në një udhëtim bamirësie në Kenia”.

Dashurinë për të atin, David Beckham, Brooklyn e kishte shprehur po aq hapur. “Babai im: heroi im absolut (dhe gjithashtu shumë fotozhenik)”, shkruante ai pranë një fotografie të realizuar gjatë pushimeve në Kaliforni, duke shtuar se kalimi i kohës me të atin ishte një nga gjërat që e bënte gjithmonë të qeshte.

Në faqen e falënderimeve të librit, Brooklyn përmendi të gjithë familjen e tij, duke shkruar: “Për të gjithë familjen dhe miqtë e mi që më duruan duke bërë fotografi. Por mbi të gjitha, faleminderit mamit, babit, Romeos, Cruzit dhe Harperit. Ju dua.”

Problemet e raportuara mes Brooklyn Beckham dhe familjes së tij nisën në vitin 2022, kur ai vendosi të martohej me Nicola Peltz. Në fillim u përfol se Victoria Beckham do të realizonte fustanin e nusërisë, por kjo nuk ndodhi. Nicola zgjodhi një fustan nga Valentino, gjë që sipas thashethemeve krijoi pakënaqësi tek Victoria.

Megjithëse më pas u raportua se situata ishte qetësuar, tensionet duket se nuk u zhdukën plotësisht. Thashethemet për një përçarje u rikthyen në vitin 2025, kur Brooklyn nuk mori pjesë në festën e ditëlindjes së të atit. Së fundmi, ai raportohet se ka bllokuar të gjithë anëtarët e familjes së tij në rrjetet sociale dhe ka publikuar postime që konfirmojnë distancimin mes tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB