Reali përshpejton rikthimin e Mourinhos, Benfica kërkon 3 mln euro ta lë të lirë, dhe nis kërkimin për zëvendësuesin
Diego Costa ka rihapur një nga përplasjet më të bujshme të së shkuarës së tij, duke sulmuar publikisht Antonio Conte-n me deklarata tepër të ashpra.
I ftuar në podcastin e ish-shokut të skuadrës te Chelsea, John Obi Mikel, sulmuesi hispano-brazilian, aktualisht pa klub, bëri një ndarje të qartë mes aftësive profesionale dhe aspektit njerëzor të trajnerit aktual të Napolit. Costa pranoi se Conte është një trajner i përgatitur nga ana taktike, por sipas tij, nga pikëpamja njerëzore përfaqëson shembullin më negativ që një lojtar mund të përjetojë. “Si person është trajneri më i keq që mund të kesh. Është gjithmonë dyshues, mendon se i di të gjitha dhe sillet sikur askush tjetër nuk ka të drejtë”, u shpreh sulmuesi, duke e përshkruar italianin si një njeri vazhdimisht nervoz dhe me fytyrë të ngrysur.
Deklarata më polemike nuk mungoi, pasi Costa shtoi edhe një insinuatë personale që ndezi reagime: “Ndoshta është kaq i hidhur sepse nuk bën seks në shtëpi”. Një frazë që pritet të shkaktojë jehonë të madhe në ambientin sportiv. Sipas ish-sulmuesit të Chelsea, pakënaqësia ndaj Conte-s ishte e përhapur edhe në dhomat e zhveshjes së klubit londinez. “Nuk është kënaqësi të stërvitesh me të. Shumë lojtarë nuk e duronin dhe askush nuk e vlerësonte si njeri. Për këtë arsye, ai nuk zgjati shumë”, deklaroi Costa.
Përplasja mes dyshes daton në vitin 2017, kur pas triumfit në Premier League, Conte e largoi Costa-n nga Chelsea me një mesazh të shkurtër dhe famëkeq: “Nuk je më pjesë e projektit”. Një ndarje që, duket qartë, ende nuk është harruar.
Top Channel