Zjarri me 40 viktima në Zvicër, reagojnë avokatët e çiftit pronar: Po hakmerren publikisht ndaj tyre sepse…

19/01/2026 16:58

Avokatët e pronarëve të barit në Zvicër, ku zjarri vdekjeprurës shpërtheu natën e Vitit të Ri duke shkaktuar vdekjen e 40 personave dhe plagosjen e 116 të tjerëve, kanë thyer heshtjen për të kundërshtuar atë që e quajnë një fushatë gënjeshtrash ndaj klientëve të tyre.

Jessica dhe Jacques Moretti, pronarët e barit Le Constellation në vendpushimin e njohur të skive Crans-Montana, janë “të shkatërruar” nga ngjarja, por mohojnë se kanë qenë në dijeni të ndonjë rreziku serioz në ambientet e lokalit, thanë avokatët e tyre për mediat lokale.

“Ekziston një lloj hakmarrjeje publike e drejtuar kundër tyre”, deklaroi një nga avokatët, Yaël Hayat.

Sipas ‘BBC’, gjetjeve fillestare të hetimit, zjarri dyshohet se nisi kur fishekzjarrët e vendosur mbi shishet e shampanjës ndezën shkumën izoluese akustike që mbulonte tavanin e bodrumit të lokalit. Autoritetet kanë pranuar se bari nuk ishte kontrolluar për sigurinë nga zjarri për pesë vite.

Shumica e viktimave ishin të rinj, përfshirë tetë persona nën moshën 16 vjeç, ndërsa dhjetëra të plagosur vazhdojnë të trajtohen për djegie të rënda.

Që prej tragjedisë, në mediat lokale kanë qarkulluar raportime të shumta për çiftin Moretti dhe të kaluarën e tyre, duke shtuar presionin mbi autoritetet hetuese. Në një intervistë për Tribune de Genève, avokatët thanë se klientët e tyre duan të “rivendosin të vërtetën”.

Hayat hodhi poshtë raportimet sipas të cilave Jessica Moretti ishte larguar nga ndërtesa në flakë me para nga arka.
“Ajo nuk u largua me nxitim nga vendi i ngjarjes, përkundrazi, qëndroi për të ndihmuar dhe mbështetur të plagosurit”, tha avokati.

Avokati Patrick Michod, që përfaqëson Jacques Moretti-n, theksoi se ndjenja e përgjegjësisë morale nuk duhet ngatërruar me përgjegjësinë penale.

“Çështja kryesore është nëse ekziston përgjegjësi penale, dhe kjo duhet të vlerësohet ligjërisht”, tha ai.

Lidhur me shkumën izoluese në tavan, Michod deklaroi se materiali ishte blerë nga një shitës i madh ndërtimi dhe se klienti i tij nuk ishte informuar se ajo ishte e ndezshme.
“Ai nuk donte të instalonte një material të rrezikshëm, por thjesht shkumë akustike”, shtoi avokati.

Ndërkohë, avokatët e familjes së Cyane Panine, një punonjëse e lokalit që humbi jetën në zjarr, thanë se ajo nuk kishte marrë trajnim sigurie dhe nuk ishte në dijeni të rrezikut që paraqiste tavani. Hayat e përshkroi Paninen si një mike të ngushtë të çiftit dhe citoi një kartolinë që ajo u kishte shkruar Morettive, ku i quante ata “familja e saj e dytë”.

Autoritetet zvicerane kanë akuzuar çiftin Moretti për vrasje nga pakujdesia, lëndime trupore nga pakujdesia dhe zjarrvënie nga pakujdesia.

Javën e kaluar, një gjykatë zvicerane vendosi ndalim udhëtimi për Jessica Moretti-n si alternativë ndaj paraburgimit. Ajo ka dorëzuar pasaportën dhe duhet të paraqitet çdo ditë në polici. Më herët, ajo shprehu keqardhjen për “një tragjedi të paimagjinueshme”.

Jacques Moretti ndodhet në paraburgim për një periudhë fillestare prej 90 ditësh. Prokurorët kanë kërkuar gjithashtu vendosjen e një garancie prej 400 mijë frangash zvicerane për lirimin e çiftit, duke argumentuar rrezik arratisjeje. Avokati i tij konfirmoi se ka paraqitur kërkesë për lirimin e klientit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB