Tragjedi në Afrikën e Jugut/ Autobusi i shkollës parakaloi në mënyrë të gabuar duke u përplasur me një kamion, humbin jetën 13 fëmijë

19/01/2026 18:12

Një aksident i rëndë rrugor ka shkaktuar një tragjedi në Afrikën e Jugut, ku një autobus shkolle që transportonte nxënës u përplas me një kamion, duke lënë të vdekur 13 fëmijë.

Sipas policisë, aksidenti ndodhi pranë qytetit industrial Vanderbijlpark, rreth 60 kilometra në jug të Johanesburgut. Nga rindërtimi fillestar i ngjarjes, dyshohet se shoferi i autobusit humbi kontrollin e mjetit teksa përpiqej të parakalonte automjete të tjera.

Të gjithë fëmijët e përfshirë në aksident ishin në moshë shkollore. Njëmbëdhjetë prej tyre humbën jetën në vend, ndërsa dy të tjerë ndërruan jetë pak pasi u transportuan në spital. Pamjet nga vendngjarja tregojnë minibusin e shkatërruar rëndë dhe të shtypur në anë të rrugës.

Kryeministri rajonal i Gautengut, Panyaza Lesufi, e përshkroi vendin e aksidentit si një “skenë të tmerrshme”.

Sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së Transportit, më shumë se 11,400 persona kanë humbur jetën në aksidente rrugore në Afrikën e Jugut gjatë vitit 2025.

Në tetor të vitit të kaluar, 18 fëmijë u plagosën rëndë pasi një minibus u përmbys në një autostradë në provincën KwaZulu-Natal. Ndërsa në shtator, pesë nxënës humbën jetën në një tjetër aksident me autobus shkolle, po në të njëjtën provincë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB