Sterilizimin do ta bëjë shteti pas përfundimit të koncesionit 10-vjeçar, krijohet operatori shtetëror për spitalet

18/01/2026 19:53

Shërbimi i sterilizimit të pajisjeve mjekësore në spitalet e shërbimit shëndetësor publik nuk do të ofrohet më nga koncesioni, por nga një shoqëri aksionere.

Me përfundimin e afatit 10-vjeçar të kontratës me kompaninë koncesionare, e cila nisi në vitin 2016, qeveria ka vendosur krijimin e një shoqërie aksionere në pronësi të plotë të shtetit për ofrimin e shërbimit të sterilizimit.

Vendimi është marrë në ditën e parafundit të vitit 2025 dhe është publikuar në Fletoren Zyrtare. Shoqëria e re, me emrin “Operatori i Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit”, nis me një kapital fillestar prej 200 milionë lekësh, të financuar nga buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë për vitin 2026.

Sipas vendimit të qeverisë, ky operator do të ofrojë, kundrejt pagesës, shërbime që përfshijnë të gjithë procesin e sterilizimit në sallat kirurgjikale, duke nisur nga furnizimi me instrumente sterile dhe materiale njëpërdorimshe, veshje sterile, deri te menaxhimi i mbetjeve me rrezik biologjik dhe dezinfektimi i ambienteve.

Shoqëria gjithashtu do të administrojë edhe stacionin qendror të sterilizimit në QSUT, ripërpunimin dhe sterilizimin e instrumenteve të ripërdorshëm, duke përfshirë teknologjitë me avull dhe temperatura të ulëta, si dhe digjitalizimin e gjithë procesit.

Përveç spitaleve publike, ky operator mund të ofrojë shërbime edhe për subjekte të tjera publike dhe jo-publike. Të ardhurat që do të krijohen do të përdoren nga operatori për zhvillimin e veprimtarisë.

Në vendimin e qeverisë parashikohet kalimi pa pagesë i aseteve dhe i të drejtave që i kthehen shtetit pas përfundimit të kontratës me kompaninë koncesionare, e cila ka ofruar shërbimin e sterilizimit për këto dhjetë vite.

Pritet që Ministria e Shëndetësisë të bëjë regjistrimin e shoqërisë në Qendrën Kombëtare të Biznesit, në mënyrë që të kalohet kapitali fillestar prej 200 milionë lekë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB