“Rama ka pushtuar parlamentin dhe po merr pushtetin e drejtësisë’, Berisha thirrje qytetarëve: Duhet të ngriheni, shpëtoni Shqipërinë 

17/01/2026 12:50

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, gjatë një komunikimi me ndjekësit e tij në rrjetet sociale, u shpreh se kryeministri Edi Rama ka pushtuar parlamentin dhe se po merr pushtetin e drejtësisë.

Sipas Berishës, tani është koha që fjalën ta marrin vetëm qytetarët, duke kërkuar kështu rrëzimin e qeverisë me protesta.

“Zhvillimet në vend faktojnë degradimin total të narko-shtetit, faktojnë se kreu i organizatës kriminale, Edi Rama në ethet e tij, në urinë e tij të pashuar për pushtet dhe për të vendosur në kontroll çdo qelizë të narko-shtetit, ka porositur rezultoi së fundmi hakerimin te kompjuterëve të SPAK-ut të partisë, vetëm e vetëm që t’i ketë ata në kontroll të plotë.

Skandalet njëri pas tjetrit nuk kanë të sosur. Edi Ramës po i nxihet çdo ditë e më shumë figura e tij me gjithë dhjetëra në mos më shumë milionë euro dhe dollarë që ai shpenzon për imazhin e tij, për ta paraqitur atë si një lider me vlera, në fakt del një lider i antivlerave të vërteta.

Ai po merr çdo masë që drejtësinë ta bllokojë. Dje informoi se kishte ndërmend me procedura të shpejtuara të miratonte ligje që bllokojnë veprimin apo përpjekjen e institucioneve të drejtësisë për zbatimin e ligjit, ndjekjen e tij penale dhe ndjekjen e bashkëpunëtorëve të tij.

Ai do kalojë me sa duket kodin e ri të ish-bashkëpunëtorit të Sigurimit të Shtetit, Arben Rakipi, një kod i vërtetë i një narko-diktature, kod me të cilin ai sigurisht bllokon veprimet e pushtetit gjyqësor, mbron aktet kriminale të vetat, familjes së tij dhe qeveritarëve të tij.

Ndërkohë që u zotua gjithashtu se do bëjë gjithçka për t’i shkurtuar, për t’ia gjymtuar përfundimisht dhe atë hapësirë minimale që ka opozita në parlament për të marrë fjalën për procedurë, pasi nuk bëhet më fjalë për debate dhe ligje, nuk bëhet fjalë për interpelanca, nuk bëhet fjalë për komisione hetimore parlamentare dhe të gjitha të drejtat e tjera që i takojnë sipas Kushtetutës dhe rregullores së parlamentit opozitës.

Pra, de facto ai ka pushtuar parlamentin dhe po e përdor atë në një grusht shteti për të marrë pushtetin e drejtësisë. Këto janë rrethanat, këto janë zhvillimet. Fjala është vetëm e qytetarëve.

Fjala është e qytetarëve, të cilët duhet të ngrihen me forcën më të madhe dhe do ngrihen me forcën më të madhe për të shpëtuar Shqipërinë nga ky regjim që po vjedh me një shpejtësi të paimagjinueshme buxhetet, pronat publike dhe po largon çdo ditë e më shumë shqiptarët.

Hetime të shumanshme ndërkombëtare po zhvillohen në drejtim të krimit të organizuar në Shqipëri dhe karteleve të drogës.

Por u siguroj se shpëtimi i Shqipërisë do i vijë vetëm nga opozita shqiptare. Opozitë kjo e vendosur. PD dhe aleatët e saj bashkë me qytetarët janë të vendosur në një betejë përfundimtare për largimin e përfaqësuesve të narko-shtetit, vendosjen e një qeverie teknike me dy qëllime kryesore.

Së pari, reformën zgjedhore dhe zhvillimin e zgjedhjeve. Së dyti, reformën territoriale dhe zhvillimin e zgjedhjeve lokale. Dhe natyrisht heqjen dorë nga çdo formë bllokimi të veprimeve, të urdhrave të sistemit të drejtësisë”, tha ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB