Skënderbeu nuk e nisi ashtu siç pritej vitin e ri futbollistik, duke u ndalur në barazim 1-1 në shtëpi përballë Luftëtarit, skuadër që lufton për mbijetesë në Kategorinë e Parë.

Kryesuesit e kampionatit dominuan pjesën e parë të takimit, duke kontrolluar lojën dhe krijuar disa raste shënimi, por edhe miqtë u shfaqën të rrezikshëm në disa momente para portës së Alias. Megjithatë, 45 minutat e para u mbyllën pa gola.

Në pjesën e dytë, Skënderbeu shtoi presionin dhe pati mundësinë ideale për të kaluar në avantazh, por Abidun u ndal nga pika e penalltisë, me portierin Tahri që bëri një pritje vendimtare.

Ndërkohë, Luftëtari përfitoi nga një aksion individual i Nianguilës, i cili fitoi një 11-metërsh dhe e shndërroi vetë në gol, duke kaluar gjirokastritët në epërsi. Reagimi i Skënderbeut ishte i shpejtë, teksa Gjini barazoi shifrat pas një sulmi të organizuar mirë.

Skuadra korçare tentoi deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit të gjente golin e fitores, por mbrojtja e Luftëtarit rezistoi. Në fund, të dyja ekipet u ndanë me nga një pikë.

Skënderbeu – Luftëtari 1-1

Gjini 78’ / Nianguila 73’ (p)

Top Channel

DIGITALB DIGITALB