Të premten ka vazhduar gjykimi ndaj tre të akuzuarve për sulmin terrorist të Banjskës.

Në krye të trupit gjykues, në këtë vazhdim është paraqitur Ngadhnjim Arrni, i cili ka zëvendësuar Arben Hotin, i cili është ngritur në detyrë rreth një javë në parë. Arrni ka vazhduar me shqyrtimin gjyqësor në rastin Banjska, derisa ka shtyrë paraqitjen e një dëshmitari, për shkak të ndryshimit të trupit gjykues. Ndërkohë, në seancën e së premtes, mbrojtja e të akuzuarit Dushan Maksimoviç propozoi edhe nëntë dëshmitarë të tjerë, ekspertizë të fotografisë dhe ekspertizë të një arme. Sipas avokates Jovana Filipoviç, këto do të dëshmojnë vendndodhjen e të akuzuarit në natën kritike.

“Ditën kritike, kanë qenë konstant me të akuzuarin dushani në vikendicë në fund të çdo muaji kanë bërë grill dhe janë shoqëruar. Mund të na japin informata se ku ka fjetur mes 24 dhe 25 shtator, prandaj konsiderojmë që të gjithë këta dëshmitarë të na zbulojnë se ku kur dhe çfarë ka bërë dushani për periudhën kohohe që e ngarkon aktakuza”, u shpreh avokatja e Dushan Maksimoviç, Jovana Filipoviç.

Propozimin e saj e kanë mbështetur mbrojtja e dy të akuzuarve të tjerë, Bllagoje Spasojeviç dhe Vlladimir Toliç. Por, u kundërshtua nga prokuroria speciale dhe mbrojtja e të dëmtuarve, duke konsideruar se këto kërkesa paraqesin tendencë për zvarritje të procesit.

Ndërkohë, Gjykata Themelore e Prishtinës vendosi të refuzojë kërkesën e mbrojtjes me arsyetimin se edhe në aktakuzën e Prokurorisë Speciale, Maksimoviç ka pasur rol ndihmës për grupin e organizuar.

Gjyqtari ka caktuar edhe datat për seancat e radhë që janë 18,19 dhe 20 shkurt, duke thënë që në këtë periudhë synohet që të përmbyllet shqyrtimi gjyqësor për rastin e Banjskës. Sipas aktakuzës, Spasojeviç, Toliq dhe Maksimoviç ngarkohen për veprën penale të terrorizmit, derisa çështja penale ndaj tyre u nda nga 42 personat e tjerë të cilët janë në arrati, përfshirë edhe Millan Radojiçiç i cili mori përsipër organizimin dhe kryerjen e sulmit terrorist në Banjska më 24 shtator të vitit 2023.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB