Ndërruan jetë nëntë foshnje, vihen në pranga dy mjekët në Rusi Franca duket se ka hyrë në një pikë kthese historike demografike: për herë të parë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, numri i vdekjeve në vend, ka tejkaluar atë të lindjeve.
Ky zhvillim alarmues po gërryen avantazhin demografik që Franca kishte arritur të ruante prej dekadash të tëra ndaj shumicës së vendeve të Bashkimit Europian, sipas të dhënave zyrtare të publikuara së fundi.
Instituti Kombëtar i Statistikave (INSEE) bëri të ditur se gjatë vitit të kaluar u regjistruan 651 mijë vdekje kundrejt vetëm 645 mijë lindjeve, një përmbysje e qartë e bilancit natyror të popullsisë.
Rënia e lindshmërisë është përshpejtuar ndjeshëm që nga pandemia e COVID-19, duke thelluar shqetësimet për të ardhmen demografike të vendit.
Edhe pse Franca është dalluar historikisht për tregues më të qëndrueshëm demografikë krahasuar me pjesën tjetër të Evropës, plakja e popullsisë dhe normat gjithnjë e më të ulëta të lindshmërisë sinjalizojnë një krizë të thellë strukturore.
Kjo pritet të ushtrojë presion të rëndë mbi financat publike dhe sistemet sociale jo vetëm në Francë, por në mbarë kontinentin, raporton Reuters. INSEE njoftoi se norma e fertilitetit ka rënë në 1.56 fëmijë për grua, niveli më i ulët i regjistruar që nga Lufta e Parë Botërore.
Për krahasim, në vitin 2023 Franca renditej e dyta në BE për fertilitet, me 1.65 fëmijë për grua, pas Bullgarisë që kryesonte me 1.81.
“Me daljen në pension të brezave të mëdhenj të lindur në vitet 1960, tensionet në tregun e punës dhe mungesa e fuqisë punëtore do të përshkallëzohen me shpejtësi në vitet që vijnë”, paralajmëroi ekonomisti Philippe Crevel nga “Cercle d’Épargne”.
Megjithatë, pavarësisht bilancit negativ natyror, popullsia e Francës shënoi një rritje të lehtë vitin e kaluar, duke arritur në 69.1 milionë banorë, falë emigracionit që u llogarit për këtë periudhë kohe në rreth 176 mijë persona.
Top Channel