Dalja e lumit Seman nga shtrati, fshati Hasturkas nën ujë, 20 familje evakuohen dhe kërkojnë ndihmë urgjente

14/01/2026 11:54

Situata në fshatin Hasturkas, të njësisë administrative Libofshë, vijon të mbetet problematike edhe 24 orë pas daljes së lumit Seman nga shtrati.

Megjithëse niveli i ujit ka shënuar një rënie të lehtë, sipas banorëve rreth 20 centimetra, në banesat e përmbytura prania e ujit vijon të jetë mbi një metër, duke i bërë ato të pabanueshme.

Si pasojë, rreth 20 familje janë detyruar të largohen nga banesat e tyre dhe të strehohen në zona më të sigurta. Ndërkohë, dëmet janë të konsiderueshme në stane, sipërfaqe të mëdha tokash bujqësore dhe kultura të mbjella, kryesisht vreshta, ullinj dhe foragjere. Janë dëmtuar gjithashtu edhe koshere bletësh, duke rënduar ndjeshëm situatën ekonomike të banorëve.

Përballë kësaj gjendjeje, banorët kërkojnë që qeveria të dërgojë sa më parë ekipet e verifikimit në terren, për të evidentuar dëmet dhe për të hapur rrugën e dëmshpërblimeve.

Nga ana tjetër, situata mbetet alarmante për shkak të çarjes së argjinaturës së lumit Seman në disa segmente. Sipas banorëve, kjo përbën një rrezik serioz, pasi parashikohen reshje të reja shiu dhe ekziston frika e një vërshimi të dytë të ujit. Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente nga Bordi i Kullimit për bllokimin e çarjeve dhe parandalimin e përkeqësimit të situatës.

Sipas të dhënave nga terreni, situata po shkon gradualisht drejt normalizimit. Raportohet se ka pasur pak shpendë të ngordhur, por nuk ka pasur bagëti të mbytura, falë ndërhyrjes së forcave të ushtrisë, të cilat kanë ndihmuar në largimin e bagëtive nga zonat e rrezikuara.

Disa banorë mbetën të izoluar për shkak të përmbytjes, por janë evakuuar dhe sistemuar në zona të sigurta. Situata në Hasturkas mbetet nën monitorim të vazhdueshëm, ndërsa banorët presin masa konkrete dhe ndërhyrje të shpejtë për riparimin e argjinaturës dhe vlerësimin e plotë të dëmeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB