Katër premiera në TKOB, balet dhe traditë në skenë, janar “i mbingarkuar” për publikun

13/01/2026 20:03

Teatri i Operas dhe Baletit nis sezonin artistik me katër shfaqje premierë përgjatë muajit janar.

Trupa e Operas dhe Trupa e Baletit e nisin në 17 janar me një mbrëmje gala, i konceptuar si një dialog mes zërit, lëvizjes dhe muzikës, ku duetet më të njohura të repertorit operistik ndërthuren me kryevepra të baletit klasik dhe bashkëkohor.

“Do të ketë uvertura, duete, pjesë të shkëputura nga opera, edhe baleti do të ketë pjesë të përbashkëta dhe solo. Është një bashkim forcash artistike, të gjithë artistët në skenë plotësojnë një buqetë me lule”, u shpreh Ivana Hoxhaj, mëzo soprano.

Programi përfshin vepra nga kompozitorë të njohur si Puccini, Verdi, Mozart, Donizetti.

Ndërsa Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore e nis këtë sezon me premierën “Ku ka si Tirona”, “Faleminderit Tiron”, një mozaik këngësh e vallesh, ku Tirana rrëfehet përmes ritmit dhe elementëve të trashëgimisë kulturore.

“I dedikohet kryeqendrës së Shqipërisë, Tiranës bujare, bujare mikpritëse, me të gjitha zakonmet e saj, duke përfshirë këngën, vallen dhe të gjitha motivet e trashëgimisë shpirtërore të qytetit të Tiranës”, tha Sokol Marsi, drejtori artistik i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve.

Solistëve dhe valltarëve do t’u bashkohen disa të ftuar që do të përcjellin identitetin e një qyteti që ka frymëzuar breza.

“Ashtu sikurse Tirana i mirëpritur shqiptarët në gjirin e saj, edhe ne do të mirëpresim ne skenë artistë të mirënjohur si këngëtaren Irma Libohova, tenori Armaldo Kllogjeri, këngëtarja Greta Zani”, u shpreh Marsi.

Mbrëmja do të kulmojë me dasmën tironse të improvizuar në skenë, ku të gjithë këngëtarët do të mblidhen rreth një sofre.

“Ku ka si Tirona” është shfaqja e parë e një cikli që do të vijë si një udhëtim folklorik me etnomuzikale premierë që do të përfshijnë të gjitha trevat shqipfolëse.

“Do të vazhdojmë me qytetin e Shkodrës, pastaj do të zbresim në jug. Do të kalojmë edhe në Kosovë, në Odën gjakovare, ku do të merremi me këngët e bukura gjakovare, me vallet”, tha drejtori artistik i Ansamblit.

Këtë muaj, do të vijë si premierë absolute për publikun shqiptar dhe Petite Messe Solennelle e Gioachino Rossini, në një bashkëpunim me Filarmoninë e Kosovës.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB