Julian Ahmataj dorëhiqet nga posti i trajnerit të Kombëtares kuqezi U19
Reali i Madridit, pas shkarkimit të Xabi Alonsos, zgjodhi Alvaro Arbeloan si pasues te tij në stolin e skuadrës së parë, ndërsa Manchester United shumë shpejt do të zyrtarizojë Michael Carrick si trajner të skuadrës në vend të Darren Fletcher. Dy prej klubeve më prestigjioze në botë, që synojnë të sjellin ata që i njohin mirë duke qenë se kanë luajtur dhe kanë fituar për vite të tëra
Ky është kuptimi i zgjedhjeve të bëra nga drejtuesit e Realit të Madridit dhe Manchester United; ‘trashëgimia’ është më e rëndësishme se eksperienca apo emri i drejtimit teknik dhe situata janë shumë më të ngjashme nga sa mund të mendohet
Në Madrid është një situatë që nuk e gjen asgjëkundi në botë, Florentino Perez mund të shkarkojë një trajner që është ende plotësisht në garë në kampionat dhe Ligën e Kampioneve, vetëm sepse sipas tij, ai nuk i përshtatet skuadrës faraonike që i ka vënë në dispozicion. Fakti që humbi Superkupën e Spanjës është vetëm një justifikim për të arritur te një vendim që është maturuar prej kohësh. Dhe të mendosh që Xabi Alonso ka qenë një flamur i Realit të Madridit dhe me Bayer Leverkusen tregoi se është një ndër trajnerët më të mirë në panoramën futbollistike botërore. Por kjo nuk i mjafton Perez. Nëse dikush kërkon të lërë gjurmën e tij në nivel organizimi të lojës është i mbaruar. Janë mirë Del Bosque, Zidane e Ancelotti, por kjo përsa kohë sjellin trofe, përndryshe lamtumirë. Në vitet e fundit kanë dështuar Benitez e Lopetegui, ose thënë më mirë, nuk iu dha as koha për të dështuar. Krizat e para dhe menjëherë nisin kërkimet e pasuesve me vetëdijen e asaj që përfaqëson klubi. Del Bosque në pension, Zidane gati për kombëtaren franceze dhe Ancelotti shkoi te Brazili, kështu që nuk kishte rrugë tjetër, veçse të hidheshin sytë te skuadra e Real Madrid B, trajneri i të cilit do të ketë detyrën të bashkojë kampionë pa shumë shqetësime taktike në kokë. Nga ana tjetër është tradita e klubit; lojë e bukur e dhënë nga yjet jo nga një organizim i tepërt. Kështu ndodh që nga kohët e Di Stefano, Gento e Puskas, duke kaluar nga Michel, Butragueno, Valdano e Sanchez për të arritur te Zidane, Figo, Ronaldo, Raul, etj. Por nëse loja nuk është e rrjedhshme, njerëzit fërshëllejnë, për këtë mirë është të pyetet Fabio Capello që në ato anë edhe ka fituar. Në Madrid shkohet përtej logjikës bonipertiana që fitorja është e vetmja gjë që ka rëndësi. Në Madrid duhet të fitosh dhe të argëtosh publikun dhe presidentin. Përndryshe vjen gjesti i gishtit të madh të ulur si në Colossen e 2000 viteve më parë.
Te Manchester United, situata është e ngjashme, por më komplekese. Këtu nuk është tipologjia e trajnerit ajo që kërkohet vazhdimisht, është ajo e trajnerit tip boss, dmth Sir Alex Ferguson.Që nga momenti që skocezi vendosi të heqë dorë nga pankina, Manchester United, jo vetëm që nuk ka fituar më kampionatin, por ka humbur krejtësisht rrugën. Kanë ardhur trajnerë që kanë bërë historinë e futbollit botëror si Van Gaal e Mourinho, të tjerë teknikë shumë të përgatitur si Rangnick, apo trajnerë të konsideruar si ndër më të mirët të momentit(Ten Hag e Amorim). Dikush ka fituar ndonjë kupë, por asgjë më shumë. Ja përse vazhdimisht kërkohet kthimi në kohët e arta të menaxhimit të Sir Alex në një loop të vazhdueshëm kohor që risjell në pankinë ish futbollistë të asaj periudhe. Ndodhi me Solskjaer, kandidat edhe në këtë rast por që u la mënjanë, Fletcher për një apo dy ndeshje dhe tani Carrick, që edhe në 2021 ka qenë në rolin e trajnerit të komanduar. Ish mesfushori ka pranuar të gjitha klauzolat e kontratës që Manchester United i ka propozuar dhe është gati për debutimin e tij ndaj Manchester City. Trajneri i ri ka pasur mbështetje të rëndësishme sic është ajo e Cristiano Ronaldos që e përkufizoi në këtë mënyrë: ‘Një personazh i klasit të lartë i destinuar të bëhet një trajner i madh. Personalisht jam krenar që kam luajtur përkrah tij dhe ta kem pasur edhe si trajner në pankinë’. Për më tepër, nuk vunë veton protagonistët e vërtetë të merkatos së Djajve të Kuq; ish futbollistët që tashmë janë opinionistë me famë si Rio Ferdinand, Roy Keane dhe Gary Neville. Janë ata që mbrojnë traditën dhe që nuk i duan ata që ia lejojnë vetes ta ndryshojnë atë, si Amorim, faji i të cilit ishtë që zgjodhi një mbrojtje me 3 lojtarë. Te Manchester United jetohet me skemën klasike 4-4-2, maksimumi lejohet 4-2-3-1. Tani mbetet për t’u parë se cila do të jetë skema e Carrick.
Top Channel