Angli/ Ekzekutimi i kurdit, ekstradohet nga Belgjika bashkëpunëtori Babales së TikTok-ut. Mbetet në arrati Armando Marku

13/01/2026 09:44

Pak më shumë se gjashtë vjet pasi Hemawand Ali Hussain u ekzekutua brutalisht në Hartlepool, një tjetër person tani është akuzuar në lidhje me vrasjen e 32-vjeçarit, kjo sipas komunikatës të Policisë së Cleveland-it të cilës i referohet Top Channel.

Si pjesë e hetimeve të vazhdueshme mes Policisë së Cleveland-it, Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA) dhe partnerëve ndërkombëtarë, shtetasi shqiptar, Sajmir Dodoveci 40 vjec,k  u ndalua në një stacion treni në Bruksel të martën, më 23 dhjetor – dy ditë para Krishtlindjeve.

Dodoveci u ekstradua në Mbretërinë e Bashkuar këtë javë dhe më pas u akuzua për vrasjen e z. Hussain, i cili u qëllua nga afër brenda një shtëpie në Charterhouse Street në shtator 2019.

Ai u paraqit të premten, 9 janar në Gjykatën e Magjistrale të Teesside dhe u la në paraburgim deri në paraqitjen e tij në Gjykatën e Kurorës së Teesside të martën e 13 janar 2026.

Hetimet e gjera të mëparshme nga Policia e Cleveland-it çuan në dënimin me burgim të përjetshëm të Eugert Merizaj për vrasjen e z. Hussain.

Merizaj me origjinë nga Ballshi,  njihet si një prej Tiktokerave më të fortë shqiptarë.

Ai ishte larguar nga Mbretëria e Bashkuar pas vrasjes dhe gjithashtu u gjurmua në Belgjikë, u ekstradua përsëri këtu dhe u dërgua në gjyq, ku u shpall fajtor.

Tre shqiptarë të tjerë u dënuan me burg në janar 2021 pasi u shpallën fajtorë për vrasje pa paramendim.

Ata janë Noza Saffari, 40 vjeç, i dënuar me 15 vjet burg; Dorian Pirija, 34 vjeç, i dënuar me 19 vjet burg; dhe Qazim Marku, 26 vjeç, gjithashtu i dënuar me 19 vjet burg.

Një tjetër shqiptarë  34-vjeçar u ndalua gjithashtu në Belgjikë në shkurt 2024 dhe po bëhen përgatitjet për ekstradimin e tij që të dalë në gjyq.

Ndërkohë, një tjetër i dyshuar, shqiptari 26-vjeçar Armando Marku  mbetet ende në arrati.

Inspektore Detektive Lyndsey Dale nga Policia e Cleveland-it, e cila po udhëheq hetimet e ish snaiperistit kurd tha: “Pavarësisht kalimit të kohës, kjo çështje mbetet prioritet për policinë dhe ne kemi bërë përparim të rëndësishëm përmes hetimeve të gjera – si në Mbretërinë e Bashkuar ashtu edhe jashtë saj.

“Kjo është një çështje komplekse dhe sfiduese, e cila ka kërkuar bashkëpunim ndërmjet disa juridiksioneve për një numër vitesh. Oficerët tanë dhe agjencitë partnere, përfshirë organizatat ndërkombëtare dhe NCA-në, kanë punuar pa u lodhur gjatë kësaj periudhe dhe ne vazhdojmë të ndjekim çdo pistë të mundshme.

“Dua të falënderoj ekipin tim dhe të gjithë të përfshirët për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe për ndarjen e angazhimit tonë për të arritur drejtësi për Hemawand Ali Hussain dhe familjen e tij, pavarësisht sa kohë mund të zgjasë.

“Gjatë muajve të fundit, detektivët tanë të përkushtuar kanë bashkëpunuar me agjenci të zbatimit të ligjit në Evropë, duke ndarë informacione dhe duke kryer hetime të gjera. Këto hetime ndërkombëtare kanë qenë thelbësore në zhvillimin e linjave të reja hetimore që kanë çuar në këtë arrestim të fundit; ndalimi i Dodovecit dëshmon se nuk mund t’i shpëtosh ligjit.”

Inspektorja Detektive Dale theksoi se:

“Tani do të intensifikojmë përpjekjet tona për të lokalizuar dhe arrestuar Armando Markun, i cili ende kërkohet në lidhje me këtë vrasje.

“Hetimet tona brenda dhe jashtë vendit na bëjnë të besojmë se ai është larguar nga Mbretëria e Bashkuar dhe aktualisht ndodhet jashtë saj, ndaj po punojmë ngushtë me agjenci ndërkombëtare të zbatimit të ligjit për ta gjurmuar dhe arrestuar; kjo do të jetë fokusi i vazhdueshëm i ekipit hetimor. Ne nuk do të ndalemi dhe do të përdorim të gjitha metodat e disponueshme për ta gjetur atë.

“I bëj thirrje kujtdo që ka informacion për Armando Markun ose vendndodhjen e tij aktuale të dalë përpara. Edhe detaji më i vogël mund të ndihmojë hetimin tonë. Ju lutemi kontaktoni Policinë e Cleveland-it në numrin 101 duke cituar numrin e incidentit SE19159141 (Operacioni Chard).

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB