“Politika shqiptare kuptohet vetëm nëse nisesh nga jashtë-brenda, jo e kundërta”, Artan Fuga: Si përfunduan opozitarët e Zogut që mbështetën Italinë në ’39

12/01/2026 17:37

Akademiku Artan Fuga ka ndarë një opinion në rrjetin e tij social Facebook, ku nëpërmjet historisë që nga pushtimi i Shqipërisë nga Italia, është shprehur se një numër opozitarësh të mbretit Zog ishin bërë tradhtarë të kombit të tyre, duke bërë në fund edhe një analogji me politikën shqiptare sot.

Sipas tij ata u bënë ‘italianofilë’ dhe përshëndetën ardhjen e italianëve në 1939, e duke vazhduar me historinë tek gjermanët, dhe më pas diktatura e vitit 1945.

Me anë të këtij shembull, akademiku është shprehur se kjo shpjegon që politika e brendshme shqiptare në thelb mund të kuptohet vetëm nëse nisesh nga jashtë brenda dhe jo nga brenda jashtë.

“Doni shëmbuj përsëri?

Një numër opozitarësh të mbretit Zog, jo vetëm me besim katolik, por edhe të tjerë, kishin menduar se fakti që Italia zboi mbretin, kishte qenë një shpëtim. U bënë (në fakt ishin) italianofilë, dhe përshëndetën ardhjen e italianëve në 1939.

Pastaj, hapi i dytë që nuk mund të mos ndiqte të parin u bënë fashistë, mbase jo në mendje, por me hir a pahir,

pastaj nga këtej u bënë kolaboracionistë.

Po e hëngre lugën e çorbës së prishur, kthen gjithë kusinë në gurmaz.

Me një fjalë tradhtarë të kombit të tyre.

Ishin bërë që kur me ceremoni i dorëzuar kurorën mbretërore shqiptare Viktorit Emanuel në Romë që në 1939.

Për të shpëtuar nga mbreti Zog llocën pastaj në baltrat e Historisë sapo ndryshoi gjeopolitika botërore.

Duçja kapitulloi dhe Gjermani hitlerian i morri këta për bythe dhe i hodhi në plehra disa, disa i keqpërdori.

Pastaj hëngrën dhe një grusht tjetër në 45 kur u shpallën fashistë dhe kolaboracionistë nga diktatura, e cila përfitoi nga faji i tyre, ose nga që edhe i fajësoi herë me të drejtë herë pa të drejtë.

Ja sesi ajo që në vitet 20 dukej se frynte velat e filoitalianëve, në vitet 43 e tutje i hodhi në erë dhe gjithçka ndryshoi, bashkë me të edhe fati politik i Shqipërisë.

Doni shembuj të tjerë që politika e brendshme shqiptare në thelb mund të kuptohet vetëm nëse nisesh nga jashtë brenda dhe jo nga brenda jashtë?

Flasim përsëri, pa merak!

Por sa për tani e lëmë këtu se po dal për një shëtitje!”, shkruan Akademiku.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB