“24 orë nga jeta e një votuesi”, shfaqja satirike e Driada Dervishit në Teatrin Kombëtar thumbon realitetin shqiptar

11/01/2026 12:36

Si janë 24 orë nga jeta e një votuesi?

Pikërisht këtë pyetje trajton regjisorja Driada Dervishi në shfaqjes satirë kabare që e sjell për publikun këtë fillim janari.

“Vjen si një 24 orësh sprint, por ku përfshihen ndoshta 35 vite. Është një ditë që përngjan me shumë ditë të bashkëqytetarëve tanë. Gjuha e përdorur ka qenë e ndikuar e gjithë nga një teatër satirë kabareje, e mbështetur kryesisht në personazhe që kanë ndërtuar kabarenë. Janë tema që provokojnë dhe do të doja që secili nga ne të shohë gabimet e së përditshmes edhe te vetja”, tregon regjisorja.

Si reagojmë ne ndaj problemeve me të cilat përballemi çdo ditë? Batutat e aktorëve Arben Derhemi, Zamira Kita, Xhuliano Brisku, Ermir Hoxhaj na ftojnë në reflektim.

“Është realiteti shqiptar, i përkthyer në teatër. Një realitet i hidhur dhe grotesk. Është një personazh shumë ndryshe nga rolet që është mësuar publiku të shohë nga unë. Ka një batutë i ati që i thotë ‘ti ke lindur gabim’. Dhe në fund ai e kupton pse ka lindur gabim. Është një vepër që do t’i bëjë njerëzit të qeshin, të qajnë, ka shumë autoironi”, shpreh Derhemi.

“Roli më përshtatet shumë, është një grua korçare, kështu që batutat vijnë natyrshëm. Humori jonë është i këndshëm, do të qeshin, do të kënaqen dhe do t’i vënë gishtin kokës”, thotë Zamira Kita.

“24 orë nga jeta e një votuesi është një vepër me të gjitha bisedat që ne bëjmë në kafe, raporti që kemi si popull me pushtetin”, thekson aktori Ermir Hoxhaj.

E bazuar në disa motive të Naun Shundit, “24 orë nga jeta e një votuesi” është një vepër shumëdimensionale, që ngjit në skenë bandën e Gent Rrushit, ndërsa artistët do të interpretojnë teksin “E të tjera, e të tjera” të Teodor Keko, muzikuar nga Aulon Naçi.

Kjo premierë absolute mirëpret publikun nga data 13–18 janar në Teatrin Kombëtar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB