Vetëm një e treta e serbëve e duan ende anëtarësimin në BE, sipas një sondazhi të fundit.
Duket se pjesa më e madhe e tyre nuk e shohin vendin pjesë të bllokut europian. Arsyeja kryesore me gjasë, është pritja prej 14 vjetësh për anëtarësim, dhe fakti që Serbia ndërkohë, po parakalohet aktualisht nga vendet fqinje, Mali i Zi dhe Shqipëria në rrugën drejt Brukselit.
Sondazhi i kryer nga organizata me seli në Beograd, Qendra për Politikë Bashkëkohore (CSP), del në përfundimin, se vetëm 36% e popullsisë është në favor të anëtarësimit në BE. Madje mbështetja për BE po bie me shpejtësi. Rreth 15 vjet më parë, 70% e serbëve ishin në favor të anëtarësimit, shifra pësoi rënie në vitet që pasuan, por i kalonte 50%.
Rezultatet e sondazhit kanë nxitur debate në Serbi, se kush është përgjegjës për krizën e besimit ndaj BE: një qeveri autoritare që nxit rregullisht ndjenja anti-perëndimore tek mediat e afërta me të? Apo shtetet anëtare të BE-së që e kanë bllokuar procesin e pranimit të Ballkanit Perëndimor për vite me radhë?
Ekspertja serbe për çështjet europiane nga Beogradi, Bojana Selakovic, është e bindur, se të dyja palët kanë përgjegjësitë e tyre.
“Qeveria e Aleksandar Vuçiçit nuk e ka braktisur zyrtarisht anëtarësimin në BE, por në realitet, anëtarësimi nuk ka qenë kurrë qëllimi i saj”, thotë Selakoviç, koordinatore e platformës qytetare serbe “Konventa Kombëtare për Bashkimin Evropian”, cituar nga agjencia gjermane e lajmeve, kna.
Prej më shumë se një viti, Serbia ka qenë në një gjendje të jashtëzakonshme politike. Pas katastrofës në stacionin e trenit të Novi Sadit më 1 nëntor 2024, në të cilën vdiqën 16 persona, u zhvilluan çdo javë protesta. Vuçiç ka njoftuar zgjedhje të parakohshme parlamentare për këtë vit, një nga shumë kërkesat e studentëve demonstrues.
Top Channel