Qytete të shumta në Kosovë u përmbytën gjatë kësaj jave nga reshjet e pandërprera që nisën të hënën e pesë janarit. Shtëpi, lokale, vetura e toka bujqësore u vërshuan nga lumenjtë që dolën nga shtrati.
Dhjetëra shtëpi të lagjes “2 Korriku” të Mitrovicës janë përmbytur, dy ditë pas, banorët janë kthyer për të pastruar dëmet e shkaktuara nga vërshimet e lumit Sitnica.
Qasja në disa prej shtëpive është e pamundur për shkak që niveli i ujit shkon mbi një metër, por, kryefamiljarët po qëndrojnë për të parë situatën se si do zhvillohet.
Dëmet thonë se janë të shumta me ujin që ka depërtuar brenda shtëpive duke dëmtuar të gjitha pajisjet e tyre.
Banorët thonë që mungon edhe intervenimi nga institucionet duke i lënë ata pa qasje në shtëpitë e tyre edhe në temperaturat e ulëta që po mbizotërojnë.
Intervenimi i vetëm që u pa gjatë paradites së të shtunës është me ekskavator nga një banor i Mitrovicës, që po hapte kanalet për të ndihmuar në largimin e ujit. Pesë ditë pas vërshimeve, qytetarët përballen me pasojat që u shkaktuan në shumë komuna.
Skënderaj, Peja, Drenasi, Rahoveci dhe Klina kanë nisur vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga përmbytja. Qytetarët duhet të paraqesin kërkesat pranë institucioneve përkatëse në mënyrë që të kompensohen.
Në Obiliq dhe Fushë–Kosovës ndërkohë janë formuar komisionet për vlerësimin e dëmeve. Agjencia për Menaxhimin Emergjent njoftoi se situata e vërshimeve në nivel vendi paraqitet kryesisht e qetë, stabile dhe e menaxhueshme.
Top Channel