Polemika pas Superkupës së Francës, tifozët ‘shpërthejnë’ ndaj Pavard pasi qeshi me Lucas Hernandez: Largohu nga klubi ynë

09/01/2026 14:56

Humbja e Marsejës ndaj Paris Saint-Germain në finalen e Superkupës së Francës ka ndezur polemika të forta, jo aq për atë që ndodhi në fushë, sesa për skenat pas përfundimit të ndeshjes dhe gjuajtjeve të penalltive.

Në qendër të kritikave është Benjamin Pavard, aktualisht i huazuar te Olympique Marseille nga Interi deri në fund të sezonit. Mbrojtësi francez u kap nga kamerat duke qeshur dhe biseduar me Lucas Hernandez, lojtar i PSG-së dhe mik i tij i afërt, menjëherë pas humbjes në finalen e luajtur në Kuvajt. Pamjet shkaktuan reagime të ashpra në rrjetet sociale, ku tifozë të Marsejës kërkuan largimin e tij, duke i drejtuar thirrje edhe drejtorit sportiv Medhi Benatia.

Në një intervistë pas ndeshjes, Pavard – ende i pavetëdijshëm për stuhinë mediatike – sqaroi shkurt bisedën me Hernandez, duke thënë se i kishte thënë se PSG kishte pasur fat në finale.

Nuk është hera e parë që Pavard përfshihet në polemika. Pak para largimit nga Interi, mbrojtësi i lindur në vitin 1996 ishte kritikuar nga tifozët zikaltër për sjellje joprofesionale gjatë Kupës së Botës për Klube, pasi u kthye nga SHBA për shkak dëmtimi, por më pas u shfaq në rrjete sociale duke luajtur padel. Në atë rast, klubi u mjaftua me një paralajmërim.

Tashmë mbetet për t’u parë se si do të evoluojë situata në Francë dhe nëse Marseja apo vetë Pavard do të ndërhyjnë për të shuar polemikat që kanë shpërthyer pas finales.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB