Algjeria po përgatitet për një përballje tejet të fortë ndaj Nigerisë, këtë të shtunë, në orën 17:00, në çerekfinalet e Kupës së Afrikës.

Pas një kualifikimi të vështirë ndaj Kongos, algjerianët do të duhet të japin maksimumin për të vazhduar rrugëtimin drejt një tjetër trofeu kontinental. Megjithatë, në prag të kësaj sfide, vëmendja është përqendruar kryesisht te kapiteni Riyad Mahrez.

Në konferencën për shtyp para ndeshjes, ‘ylli’ algjerian ka bërë një deklaratë të fortë, duke zbuluar se Kupa e Afrikës që po zhvillohet do të jetë e fundit për të me fanellën e kombëtares. “Dua ta fitoj sërish Kupën e Afrikës me këtë brez lojtarësh. E dëshiroj vërtet shumë”, u shpreh Mahrez, fjalë që kanë emocionuar tifozët dhe kanë bërë menjëherë xhiron e medieve.

Mahrez është një nga protagonistët kryesorë të turneut, me tre gola të shënuar deri tani, dhe mbetet simbol i Algjerisë kampione të Afrikës në vitin 2019. Për vite me radhë, ai ka qenë lider teknik dhe shpirtëror i përfaqësueses, duke u kthyer në figurë ikonike për tifozët algjerianë.

Deklarata e tij ka sjellë edhe një ndjenjë nostalgjie, pasi sinjalizon fundin e një epoke të artë për kombëtaren. Megjithatë, përpara se të mendohet për lamtumirën, ka ende një objektiv madhor: të mposhtet Nigeria dhe të vazhdohet ëndrra për një tjetër triumf afrikan. Mahrez dëshiron ta mbyllë kapitullin me Algjerinë në mënyrën më të bukur të mundshme, duke ngritur edhe një herë trofeun e Kupës së Afrikës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB