Inter merr arratinë në krye të klasifikimit dhe këtë të dielë në San Siro do të luhet superfida me Napolin, por skuadra zikaltër këto ditë po mendon shumë për merkaton e transferimeve. Interi është vënë në ndjekje të një sulmuesi të djathtë, por milanezët po punojnë edhe për largimet dhe emri që po lakohet më shumë është ai i Davide Frattesi, i cili pasi mungoi në transfertën ndaj Parmës, nuk do të jetë në dispozicion të Chivut as për ndeshjen me Napolin

Mesfushori italian është vënë në merkato nga Interi që kërkon për të 35 milionë euro. Klubet pretendente për shërbimin e tij janë shumë, por situata nuk po zhbllokohet. Në fillim për Frattesin tentoi Galatasaray që kërkon t’i përgjigjet blerjes së Guendouzi nga rivalët e Fenerbahçes dhe kështu studioi terrenin me anë të një propozimi që mund të kënaqte Interin(huazim me 5 milionë euro me opsion blerjen për 30 milionë), por tratativat ngecën në pikën e drejtë/detyrim dhe klubi turk vendosi të mos e vazhdojë më tej këtë histori edhe sepse siç pohoi trajneri Okan Buruk, prioritet i klubit është një mesfushor më difensiv, siç është Ederson i Atalantës.

Nga Turqia në Angli; lajmi i këtyre ditëve ështe interesimi i Nottingham Forest; ka pasur disa kontakte paraprake mes dy klubeve dhe në ditët në vijim ato mund të shkojnë edhe më tej, por është krijuar ndjesia se futbollisti dëshiron të qëndrojë në Itali dhe po pret lëvizjen e Juventusit të Luciano Spallettit që ia ka rritur vlerën në kombëtaren italiane si askush tjetër.

Vetë Spalletti do të jetë i lumtur të ketë mesfushorin 26 vjeçar në skuadër, por Inter nuk dëshiron të përforcojë rivalin e përjetshëm dhe do të pranonte kalimin e tij në Torino vetëm nëse Zonja e Vjetër pranon formulën e huazimit me detyrim blerjeje. Situata është në zhvillim e sipër dhe përshtypja është se do të zgjasë shumë. Frattesi pret Juventusin, por nuk do t’iu thoshte ‘jo’ as Napolit apo Romës që e shfaqën interesin për të edhe në 2025.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB