“Venezuelën do ta mbikëqyrim për shumë më gjatë se një vit”, Trump: Kemi filluar të gjenerojmë të ardhura nga nafta e tyre

08/01/2026 18:30

Presidenti amerikan, Donald Trump, zbuloi në një intervistë me New York Times se Shtetet e Bashkuara mund të mbikëqyrin Venezuelën dhe të kontrollojnë të ardhurat e saj nga nafta për vite me radhë, duke përshkruar planet për të shfrytëzuar burimet e saj të energjisë dhe potencialisht për t’i kthyer përfitime ekonomike vendit, pa specifikuar një afat kohor për mbajtjen e zgjedhjeve.

Në mënyrë specifike, Trump theksoi se Shtetet e Bashkuara parashikojnë rolin e tyre në Venezuelë dhe kontrollin e burimeve të tyre të naftës që shtrihen “shumë më tej” se një vit, kur u pyet për kohëzgjatjen e mbikëqyrjes amerikane të vendit amerikano-latin.

“Vetëm koha do ta tregojë”, u përgjigj presidenti amerikan, duke shtuar se “ne do ta rindërtojmë atë në një mënyrë shumë fitimprurëse” dhe se Shtetet e Bashkuara do ta përdorin naftën, do të ulin çmimet dhe do të sigurojnë paratë që Venezuela ka nevojë.

Trump tha gjithashtu se Uashingtoni kishte filluar tashmë të gjeneronte të ardhura për Shtetet e Bashkuara nga nafta e Venezuelës, e cila ishte nën sanksione, duke vënë në dukje se vendi do të furnizonte midis 30 dhe 50 milionë fuçi naftë të papërpunuar në Shtetet e Bashkuara, pa dhënë shifra të sakta për përfitimet ekonomike dhe pa pranuar se ringjallja e sektorit të naftës do të zgjaste me vite.

I pyetur në lidhje me njohjen e zëvendëspresidentes venezueliane Delcy Rodriguez si udhëheqëse e re e vendit në vend të udhëheqëses së opozitës Maria Corina Machado, Trump shmangu dhënien e një përgjigjeje të drejtpërdrejtë. Në vend të kësaj, ai tha se Sekretari i Shtetit Marco Rubio ishte në “komunikim të vazhdueshëm” me të dhe qeverinë në Venezuelë.

Lidhur me kohën e zgjedhjeve në Venezuelë, presidenti amerikan nuk dha përgjigje dhe refuzoi të komentonte nëse kishte folur personalisht me Rodriguez.

Trump gjithashtu tha se do të donte të udhëtonte në Venezuelë në të ardhmen kur situata në vend të jetë e sigurt.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB