“Te ‘Lulëkuqe mbi mure’, Kadri Roshi u rrëzua 9 herë nga shkallët”, Kliti kujton babanë në 102-vjetorin e lindjes: Artistë si ai nuk janë respektuar sikurse duhet!

08/01/2026 20:10

“Kolosë të tillë kanë vetëm një datë, atë të lindjes. Vetëm se në momentin që mora gotën për ta uruar, trokiti dera dhe ai shkoi ta hapë… Kadri Roshi dhe të tjerët do të mbeten të gjallë…”

Kështu ishte për Kliti Roshin 102-vjetori i babait të tij, kolosit të filmit dhe teatrit shqiptar. Ndonëse Kadri Roshi mungon fizikisht, për Klitin ai jeton përmes artit që ka lënë pas.

“Nderi i Kombit” i dha jetë qindra roleve, por djali i tij tregon se dy karaktere ishin të preferuarit e Kadri Roshit, me të cilat identifikohej.

Kishte Arturo Ui në teatër, që iu vodh në mënyrën më të paskrupullt dhe që sikurse kanë thënë kolegët e tij ishte një shkollë dhe plakun Mere te ‘Njeriu me top’. Dy role që i dashuroi deri në fund“, thotë Kliti Roshi.

Duke ndjekur me këmbëngulje të atin drejt skenës, shumë shpejt nisi edhe rrugëtimi i Klitit drejt aktrimit, kur regjisori Viktor Gjika e përfshiu si figurant te “I teti në bronz”.

“I thotë Kadriut ma sill këtu. Dhe më veshën, tha Viktori më mirë se sa të marr një fshatar që nuk do t’ia dijë vlerën. Aty u hodh hapi i parë, ishte aksidentalisht. Kadri Roshi nuk donte, duke ditur të gjitha peripecitë që heq një artist. Por unë e gjëmoja jashtë mase, ai nuk më merrte, po unë i shkoja nga pas. Dy herë më ka parë në skenë, ishte njeri që nuk bënte kompromis kurrë. Nuk e kishte për gjë të të thoshte ‘je kot fare’, edhe ta argumentonte”, kujton ai.

Por, sipas Klitit, kontributi i Kadri Roshit dhe i aktorëve të tjerë të brezit të tij për kulturën dhe artin shqiptar nuk është vlerësuar sa duhet!

“Janë poshtëruar, jo respektuar. Në sa institucione kulturore, në sa kinema, në sa shkolla i shohim emrat e tyre. Dikur morën emrin e Kadri Roshit, Albert Mingës dhe Jakov Xoxës dhe i çuan te psikiatria. I hoqën nga atje dhe Kadri Roshin e kanë çuar në Yzberisht, ç’punë ka ai atje. Titujt që kanë marrë, i kanë merituar. A e dini ju që te ‘Lulëkuqe mbi mure’ Kadri Roshi është rrëzuar 9 herë nga shkallët, krahu i tij u mavijos vërtet”, shprehet Kliti Roshi.

Në intervistën për gazetaren e Top Channel, Sara Hila, aktori shprehu zemërim edhe për deklaratën e pak ditëve më parë të gazetarit Hamdi Jupe që tha se teksa ndodhej në spital ditët e fundit të jetës, Roshi i kërkoi kryetarit te Kuvendit Servet Pëllumbi t’i ndihmonte ekonomikisht gruan.

“Si mundesh të ngrihesh dhe të bësh një denigrim të tillë të shëmtuar me gënjeshtra. Kryeministri i asaj kohe, Fatos Nano, e ka pasur idhull Kadriun. Nuk ia zgjidhte dot ai? Duke ditur se kush ishin për njëri-tjetrin. Plus ka pasur pension të mirë në atë kohë. Prit se nuk kisha vdekur unë, ishte motra ime, e kishim detyrim njerëzor”, thotë aktori.

Duke u ndalur më tej te teatri shqiptar sot, aktori vlerëson se duhet një analizë më e plotë përmbajtësore e veprave që vihen në skenë.

“Synohet shumë drejt veprave të huaja dhe veprave disi të panjohura. Sepse po të vesh ‘Fytyra e dytë’, ‘Zonja nga qyteti’ unë e njoh shumë mirë, ndërsa me ato pjesë që nuk njihen, duke mos i bërë edhe një analizë të thellë, ti vendos vetëm tekstin dhe kaq”.

Ndërsa aktorët e rinj i këshillon, me një shprehje të babait të tij, që i dha shpirt pelikulës shqiptare:

“Moto e këtyre të rinjve është bërë dembelizmi. Mundohen të luajnë, jo të veprojnë, në skenë duhet të veprosh, ka veprime logjike. ‘Artist pa punë dhe pa kulturë, nuk bëhesh”, cition i biri Kadri Roshin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB