Nga Endi Tufa

Nëse ka një imazh që përsëritet rregullisht në futbollin shqiptar, ai është i lojtarit që niset drejt Europës me premtime të mëdha dhe kthehet pa u mbyllur viti, me valixhet plot me arsyetime, por me kontratën e re gati në tavolinë. Ky fenomen, që tashmë mund ta quajmë pa frikë “Sindroma e Bumerangut”, po kthehet në një normë shqetësuese që nxjerr zbuluar jo vetëm nivelin e vërtetë të rivalitetit në kampionatit tonë, por edhe mungesën e ambicies sportive përballë komoditetit financiar që ofron rikthimi në shtëpi.

Rasti më i fundit, ai i Redon Xhixhës që rivesh fanellën e Tiranës pas aventurës në Azerbajxhan, është vetëm vula e një sezoni që po dëshmon një sukses i mbetur në tentative deri diku, të eksporteve tona më të bujshme. Xhixha u largua si golashënuesi absolut dhe shpresa e madhe e sulmit kuqezi, por pas tre vitesh te Qarabag, ku shkëlqimi i tij ishte i sforcuar dhe minutat e kufizuara, ai zgjodhi rrugën e njohur: rikthimin aty ku e quajnë “mbret”. Ky rikthim, ndonëse entuziazmon tifozërinë bardheblu, është në fakt një pranim i heshtur se ritmi i futbollit ndërkombëtar, qoftë edhe në kampionate si ai azer, mbetet një kafshatë e vështirë për t’u kapërdirë nga yjet e Superiores.

Historia nuk ndalet këtu. Kujtojmë Xhuliano Skukën, djaloshin që theu rekordet e transferimeve kur u shit te Metz në Francë për 1.4 milionë euro. Pritshmëritë ishin që ai të ishte “Skuka i Kombëtares” në ligat e forta europiane, por realiteti ishte i dhimbshëm. Pas vetëm një viti endjeje nëpër stola dhe huazime të dështuara, ai u ul sërish në Rinas për t’iu bashkuar Partizanit. Po ashtu, rasti i Sherif Kallakut mbetet simboli i këtij luhatjeje konstante; një lojtar që ikën drejt Kroacisë me statusin e fantazistit të padiskutueshëm, por që kthehet sa te Teuta, sa te Tirana e Partizani, duke dëshmuar se zona e tij e rehatisë është brenda kufijve tanë, aty ku ritmi i ulët i lojës i lejon të shkëlqejë pa pasur nevojë për fizikun e kërkuar jashtë.

Edhe emra si Regi Lushkja apo Albi Doka plotësojnë këtë panoramë gri të futbollit tonë. I pari tentoi “parajsën” e Sheriff Tiraspol, një klub që luante në nivelet më të larta të Champions League, por u kthye brenda vitit për të veshur fanellën e Egnatias dhe më pas të Tiranës. I dyti, pasi provoi kampionatin kroat dhe atë hungarez pa gjetur stabilitet, u rikthye sërish te “folja” bardheblu. Të gjitha këto lëvizje kanë një emërues të përbashkët: lojtarët tanë e kanë shumë të lehtë të dorëzohen. Pse të luftosh me mish e me shpirt për një vend titullari në të ftohtin e Europës Qendrore apo Lindore, kur mund të kthehesh në Shqipëri, të marrësh një rrogë të majme (shpesh më të lartë se ajo që do merrje jashtë si lojtar stoli) dhe të trajtohesh si shpëtimtar?

Problemi këtu është i dyanshëm. Nga njëra anë, Superiorja prodhon lojtarë që nuk janë ende gati asa në kampionate të huaja periferik dhe kur këta lojtarë përballen me intensitetin e vërtetë, ata “mbyten” brenda 45 minutave të para. Nga ana tjetër, klubet tona, në vend që të promovojnë talente të reja dhe të guxojnë, preferojnë të riciklojnë këto “eksporte” të pasuksesshme. Ata i presin me tapet të kuq, duke u dhënë çelësat e ekipit lojtarëve që sapo kanë humbur betejën e tyre më të rëndësishme jashtë.

Për sa kohë që rikthimi në Shqipëri pas një dështimi jashtë do të shihet si “goditje në merkato” dhe jo si një alarm për rënien e nivelit, futbolli ynë do të vazhdojë të rrotullohet rreth vetes. Ky qark i mbyllur po e kthen Superioren në një azil për ata që nuk patën forcë të ecnin përpara, duke vrarë konkurrencën dhe duke i dhënë mesazhin e gabuar çdo të riu që aspiron Europën: Mos u shqetëso po dështove, këtu do të presim gjithmonë si hero.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB