Një vajzë 5-vjeçare dyshohet se u vra nga krokodilët në Florida, SHBA, pasi ishte rrëmbyer nga një burrë 76-vjeçar.
Sipas mediave, Harrell Brady, 76 vjeç, u paraqit sërish në gjykatë në Florida, ku përballet me dënimin me vdekje për rrëmbimin dhe vdekjen e pesëvjeçares Quatisha Maycock në vitin 1998.
Brady u dënua fillimisht me vdekje në vitin 2007, por ndryshimet në ligjet e dënimit në Florida kanë rihapur çështjen, duke kërkuar që një juri e re të vendosë për fatin e tij.
Ngjarja daton në nëntor të vitit 1998, kur Brady rrëmbeu pesë vjeçaren dhe nënën e saj, Sandel, pasi kjo e fundit dyshohet se kishte refuzuar propozimet e tij.
Fillimisht, Brady i çoi ato në një fushë me kallam sheqeri, ku u përpoq të mbyste nënën. Ai e la atë pa ndjenja, duke menduar se kishte vdekur, por ajo përfundimisht mbijetoi. Më pas, Brady e çoi vajzën 5-vjeçare në një zonë të Everglades-it, e njohur si “Rrugica e Aligatorëve”.
76-vjeçari pranoi para hetuesve se e la fëmijën aty sepse kishte frikë se ajo mund ta njihte, duke pranuar gjithashtu se vajza e kishte kuptuar se kishte shumë gjasa të vdiste.
Trupi i vajzës u gjet dy ditë më vonë në një kanal. Autopsia zbuloi se ajo kishte vdekur nga një traumë e fortë në kokë, ndërsa provat treguan se ajo ishte kafshuar nga aligatorë ndërsa ishte ende gjallë, megjithëse me shumë gjasa pa ndjenja dhe se krahu i saj i majtë ishte shkëputur nga një kafshim aligatori pasi kishte ndërruar jetë.
Raporti mjeko-ligjor theksoi gjithashtu se vajza kishte shenja kafshimesh nga aligatorët në gjoks dhe kokë ndërsa ishte ende gjallë, si dhe lëndime në fytyrë të shkaktuara nga kafshimet e peshqve që jetojnë në zonë.
Top Channel