Agjentët federalë vranë shoferen në Minneapolis/ Trump flet për vetëmbrojtje, klimë e tensionuar dhe demonstrata në qytet Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi se Venezuela do t’i kalojë SHBA-ve një sasi prej 30 deri në 50 milionë fuçi naftë, e cila do të shitet me vlerë tregu dhe me të ardhurat nën kontrollin e autoriteteve amerikane.
Në një postim në platformën e tij “Truth Social”, Trump theksoi se bëhet fjalë për “naftë të sanksionuar”, tashmë të prodhuar dhe të depozituar kryesisht në anije magazinimi. Sipas tij, fitimet nga shitja do të përdoren “në dobi të popullit të Venezuelës dhe të Shteteve të Bashkuara”.
Sekretari i Energjisë, Chris Wright, është urdhëruar ta zbatojë planin “menjëherë”. Fuçitë do të transportohen me anije magazinuese drejt porteve amerikane në Gjirin e Meksikës, ku nafta e rëndë venezueliane pritet të rafinohet.
Një zyrtar i lartë i administratës amerikane, që foli për CNN në kushte anonimiteti, tha se transferimi mund të kryhet shpejt, pasi pjesa më e madhe e sasisë ndodhet tashmë në det dhe gati për dërgim në impiantet amerikane.
SHBA konsumojnë mbi 20 milionë fuçi naftë në ditë, çka do të thotë se kjo sasi mbulon vetëm pak ditë konsumi kombëtar. Analistët vlerësojnë se ndikimi në çmimet e karburanteve për amerikanët do të jetë i kufizuar.
Pas njoftimit, çmimi i naftës në tregun amerikan ra rreth 1 dollar për fuçi, afro 2%. Nëse shiten 50 milionë fuçi me çmimin aktual prej rreth 55 dollarësh, të ardhurat mund të arrijnë 1.65 deri në 2.75 miliardë dollarë.
Ekspertët theksojnë se Venezuela ka grumbulluar rezerva të mëdha në depo tokësore dhe në tankerë të sekuestruar, me kapacitet magazinimi pothuajse të plotë. Ende nuk dihet periudha e saktë kur do të dorëzohet e gjithë sasia dhe detaje të mëtejshme nga Shtëpia e Bardhë priten në ditët në vijim.
Top Channel