Situata e rënduar te klubi i Premier League, ish-trajneri gati të rikthehet pa asnjë pagesë vetëm ta shpëtojë skuadrën nga rënia

07/01/2026 17:45

Ish-trajneri i West Ham, Harry Redknapp, ka deklaruar se do të ishte i gatshëm të rikthehej në stolin e “Hammers” pa asnjë pagesë, vetëm për t’i ndihmuar ata të shmangin rënien nga Premier League.

West Ham ndodhet aktualisht në vendin e 18-të të tabelës, shtatë pikë larg zonës së shpëtimit, pasi ka shkuar në dhjetë ndeshje radhazi pa fitore. Presioni ndaj trajnerit Nuno Espirito Santo është rritur edhe më shumë pas humbjes 2-1 ndaj Nottingham Forest, ish-skuadrës së tij, të martën në mbrëmje.

Skuadra londineze ka fituar vetëm tre ndeshje në Premier League këtë sezon dhe rrezikon seriozisht rikthimin në Championship për herë të parë që nga viti 2012. Ndërkohë, bilanci i Nunos është zhgënjyes, me vetëm dy fitore në 16 ndeshje që nga marrja e drejtimit të ekipit në shtator, pas largimit të Graham Potter.

Duke folur për TalkSPORT, Redknapp u shpreh i gatshëm të ndihmonte pa interes financiar: “Do të punoja falas. Do të shkoja kudo nëse dikush më telefonon, pa asnjë pagesë. Do ta shijoja, nuk është çështje parash. Më pëlqen të jem mes lojtarëve, e dua këtë punë.”

Ai theksoi rëndësinë e eksperiencës në situata të tilla, duke shtuar: “Martin O’Neill ka shkuar te Celtic dhe ai e di çfarë bën. Ka eksperiencë, e njeh lojën. Nuk është shkencë raketash. Duhet të nxjerrësh më të mirën nga lojtarët që ke.”

Redknapp ishte kritik edhe ndaj cilësisë së skuadrës aktuale të West Ham: “Në situatën e West Ham, kushdo që shkon atje duhet të nxjerrë maksimumin nga një grup mesatar lojtarësh, po të flasim hapur.”

Sa i përket frikës së rënies nga kategoria, Redknapp u shpreh pesimist: “Për momentin nuk duken as të aftë për të luftuar mjaftueshëm për të qëndruar në ligë. U duhet një mrekulli. Vetëm Forest është brenda distancës për t’u kapur. Nuk e shoh Leeds, nuk e shoh Brentford, Sunderland kanë bërë një punë fantastike. Kush tjetër do të bjerë?”

Deklaratat e Redknapp vijnë në një moment kritik për West Ham, teksa e ardhmja e klubit në elitën e futbollit anglez mbetet seriozisht në dyshim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB