Futbolli anglez dhe klubi i Tottenham Hotspur janë në zi pas ndarjes nga jeta të legjendës së klubit, Martin Chivers, i cili ka vdekur në moshën 80-vjeçare.

Ish-sulmuesi ishte një nga lojtarët më të mëdhenj në historinë e Spurs dhe renditet i treti në listën e golashënuesve më të mirë të të gjitha kohërave të klubit. Gjatë karrierës së tij me “Lilywhites”, Chivers zhvilloi 367 ndeshje zyrtare, duke shënuar 174 gola, një rekord mbresëlënës që e vendosi atë mes ikonave të futbollit anglez.

I lindur në Southampton, Chivers përfaqësoi edhe Kombëtaren e Anglisë, për të cilën regjistroi 24 paraqitje dhe shënoi 13 gola.

Tottenham Hotspur ishte i pari që reagoi zyrtarisht, duke udhëhequr homazhet për ish-yllin e tij. Në deklaratën e klubit thuhej: “Me trishtim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të ish-sulmuesit tonë legjendar, Martin Chivers. I shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta familjes së Martinit, miqve dhe ish-bashkëlojtarëve të tij në këtë moment jashtëzakonisht të dhimbshëm. Lojtarët tanë do të mbajnë shirita të zinj në ndeshjen e kësaj mbrëmjeje ndaj AFC Bournemouth. Prehu në paqe, Martin. Një nga më të mëdhenjtë e të gjitha kohërave.”

Homazhe ka bërë edhe ish-futbollisti i Spurs, Steve Archibald. Skocezi 69-vjeçar shkroi në rrjetet sociale: “E kam parë Martin Chivers-in e madh para se të bëhesha profesionist. Ishte kënaqësi ta shikoje, si një Rolls-Royce, kaq i butë në lëvizje, i shkëlqyer në ajër dhe një përfundues i madh. Por mbi të gjitha, ishte një njeri vërtet i mirë.”

Martin Chivers do të mbetet përgjithmonë një figurë ikonike në historinë e Tottenham Hotspur dhe një emër i paharrueshëm i futbollit anglez.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB