Detaje nga arrestimi i Presidentit të Venezuelës/ Tentuan t’u fshiheshin forcave amerikane, Maduro dhe bashkëshortja e tij përplasën kokën pas derës së çeliktë

07/01/2026 08:23

Administrata e Donald Trump u ka thënë ligjvënësve amerikanë se Nicolás Maduro dhe bashkëshortja e tij, Cilia Flores, mbetën të lënduar teksa përpiqeshin t’i fshiheshin forcave speciale të SHBA që po kryenin arrestimin në rezidencën e tyre në Karakas.

CNN shkruan se çifti presidencial vrapoi brenda kompleksit dhe tentoi të strehohej pas një dere të rëndë çeliku, por korniza e saj ishte e ulët dhe ata përplasën kokën, duke pësuar dëmtime. Operatorët e ‘Delta Force’ i neutralizuan dhe u dhanë ndihmën e parë menjëherë pas nxjerrjes nga godina.

Flores u paraqit të hënën në gjykatë me fasha në kokë, ndërsa avokati i saj deklaroi se ajo ka marrë “plagosje të konsiderueshme” dhe mund të ketë edhe thyerje apo mavijosje të rëndë në brinjë, duke kërkuar ekzaminim me rreze X dhe vlerësim të plotë fizik.

Operacioni dyditor u shoqërua me luftime të ashpra me një forcë kubane të reagimit të shpejtë të stacionuar pranë kompleksit të Maduros. Zyrtarët amerikanë pranuan se disa marinsa u goditën nga plumba dhe copëza predhash, por theksuan se plagët e tyre nuk janë kërcënuese për jetën.

Rreth 200 efektivë amerikanë kanë qenë në terren gjatë aksionit, ndërsa Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth e cilësoi atë një operacion të mirëorganizuar për zbatimin e sanksioneve dhe akuzave për armë e trafik droge.

Administrata këmbëngul se kapja e Maduro-s nuk ishte operacion për ndryshim regjimi, edhe pse bota e lexoi ndryshe. Qeveria venezueliane drejtohet tani nga zëvendëspresidentja Delcy Rodríguez, të cilën Uashingtoni e sheh si më pragmatike dhe të gatshme për bashkëpunim, veçanërisht në rindërtimin e sektorit të naftës.

Burimet thonë se vendimi i SHBA për të punuar me Rodríguez u mbështet në një analizë të klasifikuar të CIA-s mbi pasojat afatshkurtra të largimit të Maduro-s dhe ndikimin në stabilitetin e vendit.

Sekretari i Shtetit Marco Rubio është pika kryesore e kontaktit me lideren e re. Trump vetë deklaroi se Rubio “flet rrjedhshëm spanjisht me të” dhe se marrëdhënia e tyre ka qenë “shumë e fortë”.

Uashingtoni pret që presioni ushtarak në Karaibe dhe kontrolli mbi naftën e sanksionuar të shërbejnë si levë për të rihapur Venezuelën ndaj kompanive amerikane dhe për rikthimin e infrastrukturës energjetike nën ndikimin e SHBA.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB