Vala e të ftohtit përfshin Evropën/ Anulohen 800 fluturime në Amsterdam, Parisi mbulohet nga dëbora
I shoqëruar nga zhurma e prangave në këmbë, presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, u shfaq për herë të parë në një sallë gjyqi federale në Nju Jork, në një seancë që zgjati rreth 40 minuta dhe u ndoq me interes të lartë nga mediat ndërkombëtare.
Sapo hyri në sallën e mbushur me gazetarë dhe publik, Maduro deklaroi se ishte “rrëmbyer” dhe se ndodhej në SHBA kundër vullnetit të tij. Ai e cilësoi veten si “një i burgosur lufte”.
Gjatë seancës, gjyqtari Alvin Hellerstein i kërkoi Madurros të konfirmonte identitetin për të nisur procedurat. Duke folur qetësisht në spanjisht, ai u shpreh: “Unë jam Nicolás Maduro, president i Republikës së Venezuelës dhe jam këtu i rrëmbyer që prej 3 janarit. U kapa në shtëpinë time në Karakas.”
Gjatë seancës, Maduro dhe bashkëshortja e tij, Cilia Flores, deklaruan se nuk ndihen fajtorë për akuzat që lidhen me drogën dhe armët. “Jam i pafajshëm. Jam një njeri i ndershëm”, tha Maduro, ndërsa Flores shtoi se ishte “plotësisht e pafajshme”.
Maduro, 63 vjeç, dhe bashkëshortja e tij u transferuan në një burg të Nju Jorkut pasi u arrestuan të shtunën nga forcat amerikane në kompleksin e tyre në Venezuelë, gjatë një operacioni të papritur gjatë natës, i cili u shoqërua edhe me goditje ndaj bazave ushtarake.
Të veshur me uniforma burgu blu dhe portokalli, si dhe pantallona ngjyrë kaki, të dy mbanin kufje për të ndjekur përkthimin në spanjisht gjatë seancës, me një avokat të ulur mes tyre. Maduro mbante shënime të hollësishme në një bllok shënimesh të verdhë dhe i kërkoi gjyqtarit leje që ta mbante me vete edhe pas përfundimit të seancës.
Kur hyri në sallë — e njëjta sallë gjyqi ku vetëm disa muaj më parë u gjykua dhe u dënua Sean “Diddy” Combs — Maduro u kthye për të përshëndetur disa persona në publik me një tundje koke. Ai ruajti një qëndrim të qetë dhe pa shprehje gjatë gjithë procedurës, edhe në momentin kur një person nga publiku bërtiti se Maduro do të “paguante për krimet e tij”.
“Jam president dhe i burgosur lufte”, bërtiti Maduro në spanjisht drejt tij, ndërsa ai u shoqërua jashtë sallës mes lotësh, shkruan BBC.
Seanca ishte emocionale edhe për të tjerë të pranishëm. Gazetarja venezueliane Maibort Petit deklaroi se goditjet raketore amerikane gjatë arrestimit të Maduros kishin dëmtuar shtëpinë e familjes së saj pranë Fuerte Tiuna në Karakas, duke e cilësuar surreal momentin kur pa ish-presidentin e saj të shoqëruar në gjykatë nga marshallët amerikanë.
Bashkëshortja e Maduros, Cilia Flores, u shfaq më e rezervuar, me fasha pranë syve dhe ballit për shkak të dëmtimeve që, sipas avokatëve, i ka pësuar gjatë arrestimit. Avokatët kërkuan që ajo të marrë trajtim mjekësor të plotë, përfshirë ekzaminime për dëmtime të brinjëve dhe fraktura të mundshme.
Maduro dhe Flores nuk kërkuan lirimin me kusht gjatë kësaj seance, por kanë të drejtë ta bëjnë këtë në një fazë të mëvonshme, çka do të thotë se do të qëndrojnë në paraburgim federal.
Autoritetet amerikane e akuzojnë Maduron për komplot për narkoterrorizëm, trafik kokaine, posedim armësh automatike dhe mjete shpërthyese, si dhe komplot për posedimin e tyre. Ai është akuzuar së bashku me bashkëshorten, djalin e tij dhe disa persona të tjerë.
Seanca e radhës gjyqësore është caktuar për datën 17 mars.
Top Channel