Detaje nga arrestimi i Presidentit të Venezuelës/ Tentuan t’u fshiheshin forcave amerikane, Maduro dhe bashkëshortja e tij përplasën kokën pas derës së çeliktë
Tragjedia e rëndë në lokalin “Le Constellation” në Crans-Montana të Zvicrës, ku dhjetëra të rinj humbën jetën natën e Vitit të Ri, ka goditur rëndë dhe disa familje italiane.
Mes viktimave ishte edhe 16-vjeçari Giovanni Tamburi nga Bolonja.
Babai i tij, sipërmarrësi italian Giuseppe Tamburi, pronar i kompanisë së verërave, ka folur me lot në sy për mediat, duke përshkruar raportin e veçantë që kishte me të birin.
“Giovanni ishte dielli im. Jetoja me të dhe për të. Ishte i dashur nga të gjithë, një djalë i sjellshëm, i mirë, shumë i aftë në shkollë dhe sport. Djali ideal për çdo prind”, rrëfen ai.
Tamburi tregon se e kishte kujdestarinë e djalit që i vogël dhe se jetonin bashkë në Bolonja. ‘Për tre ditë me radhë familja jetoi me ankth, derisa analizat e ADN-së konfirmuan më të keqen’-tregon ai.
Giovanni kishte shkuar në Crans-Montana për pushimet e fundvitit. Natën e ndërrimit të viteve kishte dalë me shokët për darkë dhe më pas kishin shkuar në festën e organizuar në “Le Constellation”.
“E dija që do të shkonte atje. E pashë për herë të fundit kur i dhashë paratë për mbrëmjen.”, tregon i ati.
Giuseppe Tamburi thotë se kur pa trupin e djalit, ai nuk ishte shumë i djegur, të paktën në fytyrë, dhe dyshohet se 16-vjeçari ka humbur jetën nga asfiksia e tymit, ndërsa përpiqej të shpëtonte.
“Giovanni ishte atletik, jam i sigurt se bëri gjithçka për të shpëtuar, por ndoshta ishte shumë vonë”, thotë ai.
Babai i të riut ngre dyshime serioze për masat e sigurisë në lokal.
“Ajo që më lë pa fjalë është mungesa e një daljeje të vërtetë emergjence. Ishte vetëm një portë e vogël e mbyllur. Nëse do të ishin respektuar rregullat, sot askush nuk do të kishte vdekur”, shprehet ai i indinjuar.
Tamburi thotë se lokalin e njihte prej vitesh dhe se dikur ka shkuar edhe vetë atje, por asnjëherë nuk e kishte menduar se do të bëhej vendi ku do të humbiste jetën i biri.
“Giovanni ishte plot jetë… dhe aty e humbi. Nuk ka dhimbje më të madhe për një prind”.
Autoritetet zvicerane po vijojnë hetimet për shkaqet e zjarrit dhe për përgjegjësinë e pronarëve të lokalit.
Top Channel