Sfida e presidentit për Kurtin, pengesë e parë për Vetëvendosjen pas dy muajsh kur do të zgjidhet kreu i shtetit

05/01/2026 11:32

Zgjedhjet e 28 dhjetorit prodhuan një fitues të qartë, Lëvizjen Vetëvendosje që mori rreth 50% të votave.

Kjo i lehtësoi Albin Kurtit, që këtë herë, lehtësisht të konstituojë kuvendin e formojë qeverinë.

Por, pengesa e radhës paraqitet pas vetëm dy muajsh, pasi në fillim të marsit, Kosova duhet të zgjedh presidentin e ri, për çka duhen 81 vota.

Njohësit thonë që Kurti duhet të nis negociatat me partitë politike të opozitës.

Analisti politik, Milazim Krasniqi thotë: “Kjo nuk mund të jetësohet me një kandidat nga radhët e Vetëvendosjes, por me një kandidat për president/e që do të jetë i pranueshëm për opozitën, i cili do të unifikonte spektrin politik dhe do të ulte polarizimet aktuale”.

Njohësit shtojnë se një president i paanshëm do të shmangte shkuarjen në zgjedhje, gjë që është e përcaktuar të ndodhë nëse nuk zgjidhet presidenti.

“Kjo do të shmangte rrezikun e krizës në mars dhe shkuarjen në zgjedhje. E dyta do të siguronte qeverisje më stabile të Lëvizjes Vetëvendosje në 3-4 vitet e ardhshme dhe do të siguronte mbështetje të opozitës për marrëveshjet ndërkombëtare që shumë shpejt do të gjenden në tavolinë”, shprehet Krasniqi.

Presidentja aktuale e Kosovës, Vjosa Osmani të hënën konfirmoi se synon mandatin e saj të dytë, por njohësit janë skeptik për paanshmërinë e saj.

“Znj. Osmani ka qenë pretendente serioze deri para pesë muajsh, por me veprimet që ka bërë në pesë muajt e fundit, përveçse e ka humbur besueshmërinë te opozita ajo më nuk perceptohet nga ana e opozitës si e paanshme”, shton Krasniqi.

Mandati i presidentit në Kosovë është 6 vjeçar dhe Vjosa Osmanit i skadon në prill të 2026. Por një muaj para duhet të zgjidhet presidenti i ri i vendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB