Rënie në blerjet e fundvitit, ekspertët: Ka tkurrje të popullsisë, por është rritur edhe kujdesi për shëndetin

05/01/2026 15:31

Nga blerja e shumtë e ushqimeve, dhuratave të ndryshme dhe mbushja e tavolinës tradicionale, shqiptarët iu larguan disi traditës festive në fundvit.

Bizneset, sipas vrojtimit të besimit të realizuar nga Banka e Shqipërisë, raportuan një rënie të kërkesës në muajin dhjetor, sidomos në sektorin e tregtisë dhe shërbimeve, me përkatësisht 2.8% dhe 2.3%. Në të njëjtën ecuri vijon dhe sektori i industrisë në vend, duke ndikuar vetëm negativisht në ekonomi.

“Ajo që u vu re këtë fundvit është se rritja e kërkesës për ushqime nuk ishte kaq e lartë. Arsyet janë 2, me një tkurrje të popullsisë dhe ndryshimi i kulturës; ai bollëku i shqiptarëve është pakësuar, duke menduar se dëmton shëndetin”, shprehet eksperti i ekonomisë, Klodian Muço.

Teksa të gjithë sektorët shfaqen pesimistë, ndërtimi vijon të mbajë gjallë optimizmin në ekonominë shqiptare. Ky sektor shënoi një rritje me 4.5%, i ndikuar nga aktiviteti ndërtues dhe porositë aktuale.

“Nuk është tregues i mirë që ekonomia të varet nga ndërtimi. Ndërsa industria e fokusuar në tregjet e huaja, e ndikuar nga kostoja e punëtorëve dhe situata e euros, është në këtë fazë që jemi”, shprehet eksperti.

Ndërsa edhe vetë konsumatorët u shfaqën më pesimistë në fundvit, treguesi i besimit në ekonomi e mbylli vitin 2025 me rënie. Në 2026 pritshmëritë mbeten në kahun pozitiv, sipas ekspertëve, nëse nuk ndikohemi nga faktorët gjeopolitikë.

Muço shton: “Bota duket se nuk po stabilizohet në aspektin gjeopolitik, lufta në Ukrainë, konfliktet në Venezuelë, ambiciet e Kinës. Në aspektin e brendshëm, plakja e popullsisë, pensionet, mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar.”

Vetë Banka e Shqipërisë, në raportet e politikës monetare, thekson ndjeshmërinë e ekonomisë shqiptare ndaj faktorëve gjeopolitikë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB