Trajneri në pritje i Chelseat, Liam Rosenior, ka mbërritur të dielën në Londër ndërsa po përgatitet të marrë detyrën në “Stamford Bridge”, si zëvendësues i Enzo Marescës.

Drejtuesit e klubit londinez kanë zgjedhur Rosenior – aktualisht trajner i klubit “motër” Strasbourg – si opsionin e tyre të parë për pankinën blu. Edhe pse 41-vjeçari nuk ka folur publikisht për marrëveshjen, emërimi i tij te Chelsea duket se është shumë pranë.

Rosenior, i lindur në Londër dhe ish-trajner i Hull City, ka fluturuar të dielën drejt aeroportit Farnborough së bashku me presidentin e Strasbourgit, Marc Keller, dhe drejtorin sportiv David Weir. Seanca stërvitore e së hënës në Francë pritet të zhvillohet pa të dhe stafin e tij.

Ka gjasa që Rosenior të debutojë në pankinën e Chelseat që të mërkurën, në derbin e Londrës Perëndimore kundër Fulhamit – një prej ish-klubeve të tij.

Edhe pse kontrata ende nuk është firmosur, udhëtimi drejt Londrës tregon se njoftimi zyrtar mund të vijë shumë shpejt. Pas barazimit 1–1 me Nice të shtunën, ai dha sinjale lamtumire:

“Strasbourg është një qytet shumë i bukur me njerëz shumë të bukur, një klub i madh. E kam dashur gjithçka. Lojtarët ishin të jashtëzakonshëm. Uroj më të mirën për klubin. Nuk e di nëse kjo ishte ndeshja ime e fundit – në jetë kurrë s’i dihet,” u shpreh ai.

Megjithatë, disa tifozë u acaruan nga deklarata e tij se ekipi duhej të ishte “i kënaqur” me pikën kundër Nice, ndonëse Strasbourg renditet disa vende më lart në tabelë.

Ndërkohë, Enzo Maresca u largua nga Chelsea në Ditën e Vitit të Ri, pasi raportet me bordin e klubit u prishën përfundimisht. Ai kishte kritikuar hapur pronarët në konferenca për shtyp dhe madje bojkotoi mediat pas barazimit 2–2 me Bournemouth, që rezultoi ndeshja e tij e fundit.

Përkohësisht, ekipin e mori trajneri i U-19, Calum McFarlane, i cili drejtoi Chelsean në ndeshjen ndaj Manchester City të dielën dhe pritet të udhëheqë edhe stërvitjen e së hënës. Megjithatë, atij i është komunikuar se trajneri i ri mund të jetë në detyrë brenda mbrëmjes.

McFarlane është përfolur si kandidat për pankinën e Strasbourgit, nëse Rosenior zyrtarizohet te Chelsea, por ai ka deklaruar se nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar në këtë drejtim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB