Armatoset Kosova, merr nga Turqia sistemin anti-tank Zgjedhjet e 28 dhjetorit prodhuan këtë herë një shumicë të qartë, duke ofruar mundësinë për konstituimin pa vonesa të Kuvendit dhe për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.
Por, çështja e presidentit të vendit mbetet në pikëpyetje: A do ta zgjedhë atë legjislatura e re, apo do të ketë sërish zgjedhje në pranverë? Në një intervistë për Kosovapress, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk e përjashton mundësinë që qytetarët e Kosovës t`i drejtoehn sërish kutive të votimit. Katër muaj para se t’i skadojë mandati presidentes aktuale, Kurti shfaqet më i matur më deklaratat nëse e përkrahin Vjosa Osmanin edhe për një mandat tjetër pesëvjeçar.
“Nëse nuk arrijmë ta zgjedhim presidentin, ose ta rizgjedhim presidenten, e afati i fundit për këtë gjë është 4 marsi, nëse nuk e kemi të kaluar paraprakisht buxhetin për vitin 2026, ne as nuk mund të mbajmë zgjedhje të reja. Se natyrisht ekziston mundësia, jo vetëm teorike, por edhe praktike, që ne të shkojmë prapë në zgjedhje, në rast se nuk arrijmë ta rizgjedhim presidenten. Por në një situatë të tillë duhet të jemi të gatshëm, pikërisht duke e pasur buxhetin e votuar. Prandaj unë po them, nuk është e shëndetshme të flasim për hapin e katërt pa i trajtuar mirë dhe kaluar këta tre të parët”, shprehet Kurti.
Lideri i Vetëvendosjes e cila sipas rezultateve paraprake të KQZ-së ka siguruar mbi 50 për qind të votave në zgjedhjet e 28 dhjetorit, e konsideron të nevojshëm takimin me Osmanin për të diskutuar interesimin e saj lidhur një mandat tjetër në krye të vendit. Sipas tij, sigurimi i 80 deputetëve në sallë në momentin e zgjedhjes së presidentit, përbën një sfidë jo të vogël, sidomos duke pasur parasysh bllokadat e mëparshme të opozitës. Kurti foli edhe për vijimësinë e raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe dialogun me Serbinë në mandatin e tij të radhës. Shtetet e Bashkuara pezulluan në muajin shtator dialogun strategjik me Kosovën, por Kurti tha se të gjithë zyrtarët që kanë përgjegjësi në politikën e jashtme po punojnë intensivisht që ky vendim të përmbyset.
Ai theksoi se kanë komunikim të rregullt me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në mënyrë që të gjitha çështjet që janë të diskutueshme t’i sqarojnë, duke insistuar që në këtë mënyrë, edhe në aspektin diplomatik, t’i kenë marrëdhëniet të shkëlqyera, siç u shpreh ai.
Top Channel