Shkarkimi i Ruben Amorim, ish-mesfushori do të zëvendësojë portugezin në drejtimin e Manchester United
Ish-trajneri i Chelsea-t, Enzo Maresca, nuk pritet të mbetet gjatë pa punë pas largimit të tij nga klubi londinez, pavarësisht mënyrës së papritur të ndarjes. Kështu ka deklaruar legjenda e Premier League, Alan Shearer.
Trajneri italian u shkarkua të enjten nga drejtimi i “Blues” pas një përplasjeje të pakthyeshme me drejtuesit e klubit. Maresca, 45 vjeç, e la Stamford Bridge me Chelsea-n në vendin e pestë në kampionat, si dhe me trofeun e Conference League dhe atë të Kupës së Botës për Klube të fituar gjatë mandatit të tij.
Alan Shearer vlerëson se puna e Maresca-s në Londrën Perëndimore duhet parë si e suksesshme dhe se ai do të ketë shumë oferta në të ardhmen. Madje, sipas mediave, italiani ka zhvilluar edhe bisedime me Manchester City-n për një zëvendësim të mundshëm të Pep Guardiolës.
“Koha e tij te Chelsea duhet parë si një periudhë e suksesshme,” u shpreh Shearer. “Ata mposhtën PSG-në, ekipin më të mirë të vitit të kaluar; ai e fitoi duelin taktik me Trajnerin e Vitit. Fitimi i Conference League ishte i pritshëm, por jo shumë e mendonin se do të shkonin dhe do të fitonin Kupën e Botës për Klube.”
Sipas ikonës së Premier League, Maresca ka bërë një punë shumë të mirë edhe duke qenë pranë katër vendeve të para në kampionat. “Ai largohet me reputacion të lartë. Nuk mendoj se do ta ketë të vështirë të gjejë një tjetër punë, qoftë në Angli apo jashtë saj, për shkak të asaj që ka bërë te Chelsea dhe më parë te Leicester,” shtoi Shearer.
Megjithatë, ai pranon se mbetet për t’u parë nëse Maresca do të marrë menjëherë drejtimin e një klubi të madh. “Ka pasur zëra për City-n, por gjithçka varet nga vendimi i Guardiolës, nëse dhe kur ai vendos të largohet,” tha Shearer.
Shearer u shpreh gjithashtu i habitur nga vendimi i drejtuesve të Chelsea-t për ta shkarkuar Maresca-n. “Ata ishin në vendin e pestë, vetëm një fitore larg katërshes së parë. Nuk jam i sigurt se çfarë më shumë mund të bënte. Chelsea, ndonjëherë, është një klub ‘i çmendur’. Kjo lidhet me pronarët dhe mënyrën se si ata zgjedhin ta drejtojnë klubin,” përfundoi ai.
Top Channel