Ruben Amorim ka shkaktuar bujë të madhe te Manchester United, duke lënë të hapur mundësinë e largimit nga klubi brenda 18 muajve, gjatë një konference për shtyp të mbushur me tension dhe kritika të forta ndaj hierarkisë drejtuese.

United kanë fituar vetëm tre nga 11 ndeshjet e fundit, por barazimi 1-1 ndaj Leeds, me golin e barazimit të Matheus Cunha-s në minutën e 65-të, i ngjiti “Djajtë e Kuq” në vendin e pestë të renditjes në Premier League. Megjithatë, pas ndeshjes, konferenca për shtyp e Amorim u kthye në kaos, pasi u rikthye humori i tij i zymtë i shfaqur edhe në paraqitjen e së premtes para mediave.

Trajneri portugez la të kuptohej se nuk është i kënaqur me faktin që klubi e ka prezantuar si “head coach” që nga emërimi i tij në nëntor 2024, dhe jo si “manager”, rol që ai e konsideron thelbësor për funksionimin e ekipit.

Amorim iu referua edhe kontratës së tij, e cila skadon në qershor 2027, por theksoi se nuk ka ndërmend të largohet vetë nga posti. Megjithatë, deklaratat e tij lanë të kuptohet qartë pakënaqësia me strukturën aktuale të klubit.

“Erdha këtu për të qenë menaxheri i Manchester United, jo thjesht trajneri,” u shpreh Amorim. “E di që emri im nuk është Tuchel, Conte apo Mourinho, por unë jam menaxheri i Manchester United. Kështu do të jetë për 18 muaj, ose derisa bordi të vendosë ta ndryshojë këtë. Unë nuk do të dorëhiqem. Do të bëj punën time derisa të vijë dikush tjetër të më zëvendësojë.”

Ai shtoi se roli i tij nuk është vetëm ai i një trajneri në stol: “Unë dua të jem menaxheri i këtij ekipi, jo vetëm trajner. Kjo ishte marrëveshja. Pas 18 muajsh, të gjithë do të ecin përpara.”

Amorim nuk i kurseu as kritikat e tërthorta ndaj drejtuesve sportivë të klubit. Ai duket se hodhi kunja ndaj drejtorit të rekrutimit, Christopher Vivell, dhe drejtorit sportiv Jason Wilcox, me të cilin ka pranuar muajin e kaluar se duhet të gjejë “gjuhë të përbashkët” për objektivat në merkato.

Trajneri portugez ka shfaqur gjithashtu zhgënjim për mundësinë që Manchester United të mos afrojë përforcime gjatë merkatos dimërore, çka vetëm sa shton tensionin mes tij dhe drejtuesve të klubit.

Jason Wilcox, i cili iu bashkua United në prill 2024 fillimisht si drejtor teknik, kishte mbajtur më parë postin e drejtorit sportiv te Southampton, ndërsa tani gjendet në qendër të debatit për drejtimin sportiv të “Djajve të Kuq”.

Deklaratat e Amorim kanë hapur një kapitull të ri pasigurie në Old Trafford, duke ngritur pikëpyetje të mëdha për të ardhmen e tij dhe për mënyrën se si po drejtohet klubi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB