Një shkarkim i dytë brenda sezonit? Klubi i Premier League merr vendimin për trajnerin pas humbjes turpëruese

04/01/2026 17:07

West Ham nuk ka plane të menjëhershme për të shkarkuar Nuno Espírito Santo, pavarësisht humbjes së rëndë dhe zhgënjyese ndaj Wolves, e cila i dha ish-skuadrës së trajnerit portugez fitoren e parë të sezonit, por hija e një zëvendësimi të mundshëm ndodhet aty.

Pas ndeshjes, Nuno, 51 vjeç, kërkoi ndjesë publike ndaj tifozëve, duke e cilësuar atë si “ditën më të keqe” të tij në një fushë futbolli. Humbja u quajt “e turpshme” edhe nga legjenda e Premier League, Alan Shearer, ndërsa situata në renditje mbetet alarmante: West Ham ndodhet katër pikë larg zonës së shpëtimit, me Nottingham Forest në vendin e 17-të.

Ironikisht, përballja e radhës për “Hammers” është pikërisht ndaj Nottingham Forest të martën, klub që e shkarkoi Nuno-n pas vetëm tre ndeshjesh në fillim të sezonit, përpara se ai të zëvendësonte Graham Potter në “London Stadium”.

Burime pranë klubit bëjnë me dije se Nuno ka mbetur i tronditur nga paraqitja e skuadrës dhe u ka kërkuar falje drejtuesve. Megjithatë, pavarësisht zhgënjimit për gjendjen e ekipit, drejtuesit nuk duan të shkarkojnë trajnerin e dytë brenda një sezoni.

Një tjetër humbje ndaj Forest, që vjen pas katër disfatave radhazi, do ta linte West Ham shtatë pikë larg mbijetesës, përpara përballjeve të vështira në FA Cup ndaj QPR dhe më pas ndaj rivalëve londinezë Tottenham, një tjetër ish-klub i Nuno-s.

Statistikat, megjithatë, janë shqetësuese: West Ham po performon më keq nën drejtimin e Nuno Espírito Santo sesa nën Graham Potter. Pikët për ndeshje, golat e shënuar dhe golat e pësuar janë të gjitha më negative, ndërsa skuadra ka mbrojtjen më të dobët të kampionatit me 41 gola të pësuar. Forma e dobët reflektohet edhe në faktin se West Ham nuk ka fituar në nëntë ndeshjet e fundit, me suksesin e fundit që daton më 8 nëntor ndaj Burnley.

Presioni nga tifozët është rritur, me thirrje të hapura për shkarkimin e Nuno-s. Madje, ish-trajneri i dashur për tifozët, Slaven Bilić, është përfolur si i gatshëm për të marrë drejtimin e ekipit deri në fund të sezonit.

Megjithatë, drejtuesit e klubit po përpiqen ta mbështesin trajnerin edhe përmes merkatos. West Ham pritet të mbyllë brenda ditës së nesërme transferimin e sulmuesit të Lazios, Taty Castellanos, për 26 milionë paund, me 4.3 milionë të tjera në formë bonusesh. Argjentinasi, 27 vjeç, ka shënuar dy gola në 11 paraqitje në Serie A këtë sezon. Ai vjen pas afrimit prej 17 milionë paundësh të Pablos nga Gil Vicente.

Nuno kërkon gjithashtu me ngulm një mbrojtës qendror gjatë këtij muaji, pasi problemet në prapavijë nuk po tregojnë shenja përmirësimi.

Kapiteni Jarrod Bowen ka pranuar se skuadra duhet të reagojë urgjentisht për të shmangur rënien nga kategoria.

“Duhet ta kuptojmë situatën ku ndodhemi, dhe e kuptojmë. Jemi të 18-tët në Premier League, katër pikë nga shpëtimi dhe nëse sezoni do të mbyllej sot, do të binim nga kategoria,” u shpreh Bowen.

“Nuk mund të fshihemi pas idesë se kemi ende shumë ndeshje. Duhet ta tregojmë në fushë dhe të ndryshojmë gjërat shpejt.”

Një fitore ndaj Nottingham Forest të martën do ta afronte West Ham vetëm një pikë larg zonës së shpëtimit, ndërsa edhe Forest, tashmë nën drejtimin e Sean Dyche, mbetet në vështirësi pavarësisht një reagimi fillestar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB