Mori detyrën si presidente e Venezuelës pas arrestimit të Maduros, kush është Delcy Rodríguez?
Pas atij që Donald Trumpi e përshkroi si një “operacion brilant” për kapjen e Nicolas Maduros, operacion ky që sipas disa mediave të huaja u krye nga Delta Force, zëvendëspresidentja e Venezuelës u shfaq në televizionin shtetëror për të pohuar se qeveria nuk e di se ku gjenden presidenti dhe gruaja e tij.
“Ne nuk e dimë vendndodhjen e Presidentit Nicolás Maduro dhe Zonjës së Parë Cilia Flores”, tha Delcy Rodriguez, e cila shtoi se kërkon nga SHBA-ja prova që të dy ata janë gjallë.
Reagimet kanë nisur nëpër botë, me Rusinë që e dënoi aksionin ushtarak të SHBA-së në Venezuelë duke thënë se nuk ka asnjë justifikim të qëndrueshëm për sulmin dhe se ideologjia ka mbizotëruar mbi diplomacinë.
“Këtë mëngjes, Shtetet e Bashkuara kryen një akt agresioni të armatosur kundër Venezuelës. Kjo është thellësisht shqetësuese dhe e dënueshme”, deklaroi Ministria e Jashtme Ruse duke shtuar se “armiqësia ideologjike ka triumfuar mbi pragmatizmin e biznesit”.
Spanja u ofrua menjëherë të ndërmjetësojë mes palëve për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore për Venezuelën.
Ambasada e Italisë në Karakas i këshilloi qytetarët italianë që ndodhen atje të mos dalin nga shtëpitë, teksa kryeministrja Giorgia Meloni po e monitoron me kujdes situatën.
Liderët e Kubës dhe Kolumbisë i dënuan ashpër shpërthimet e kërkuan një reagim urgjent nga komuniteti ndërkombëtar kundër atij që e përshkruan si sulm kriminal të SHBA-së ndaj Venezuelës.
Presidenti kuban Miguel Diaz-Canel shkroi në platformën X se rajoni po “sulmohet brutalisht” dhe e quajti këtë “terrorizëm shtetëror kundër popullit të guximshëm venezuelian”.
Trump e ka akuzuar Venezuelën se po e mbush SHBA-në me drogë, dhe administrata e tij prej muajsh ka bombarduar anije që vijnë nga Amerika e Jugut, të cilat pretendon se transportonin drogë.
Top Channel