Makina përfshihet nga flakët në aksin Elbasan-Tiranë, detajet e para Parandalohet një ngjarje e mundshme kriminale me pasoja për jetën në qytetin e Vlorës.
Për pasojë janë arrestuar dy të rinj, pasi njëri prej tyre qëlloi me armë zjarri në ajër gjatë një konflikti.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, pas marrjes së njoftimit se në ambientet e jashtme të një lokali disa persona po konfliktoheshin dhe se njëri prej tyre kishte armë zjarri, ndërhynë menjëherë për parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit, duke arrestuar 2 autorët, konkretisht shtetasit:
* A. H., 19 vjeç, banues në Vlorë;
* M. A., 25 vjeç, banues në Orikum.
Arrestimi i tyre u bë pasi, në lagjen “Uji i Ftohtë”, Vlorë, në ambientet e jashtme të një lokali, gjatë një konflikti fizik midis 2 shtetasve të mësipërm dhe disa personave të tjerë, shtetasi M. A. ka marrë armën e zjarrit pistoletë nga shoku i tij, shtetasi A. H., dhe ka qëlluar një herë në ajër.
Falë ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve të patrullës, u bë e mundur neutralizimi dhe kapja e dy shtetasve, si dhe gjetja dhe sekuestrimi i armës së zjarrit pistoletë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprat penale “Prishja e qetësisë publike” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Top Channel