Çfarë presim nga 2026? Rritje pensionesh, paga më të larta dhe perofrmancë më të mirë të ekonomisë

03/01/2026 12:26

Viti 2026 sapo ka nisur dhe, së bashku me të, edhe një bilanc i ekonomisë shqiptare në 2025.

Jo më shumë surpriza: një inflacion nën kontroll, rritje e qëndrueshme dhe një ekonomi që ecën, por jo me ritëm të lartë. Ndërsa ky vit i ri na gjen me një buxhet historik prej 8.9 mld eurosh, të fokusuar te pensionet dhe investimet publike.

Me një rritje ekonomike rreth 3.5%, shkallë punësimi 58.8%, papunësi 8.1%, borxh publik rreth 54.02%, inflacion mesatar rreth 2% dhe rreth 1.2 mld euro investime të huaja, kjo është panorama që viti që lamë pas na ofron në këtë 2026.

Por aftësia për të qenë elastike e ka bërë ekonominë shqiptare të përshtatet ndër vite. Tërmeti i 2019-s, pandemia e 2020–2021, kriza e çmimeve në 2022–2023 dhe një euro e zhvlerësuar ndër vite krijuan këtë veçori, duke e ndihmuar të rimëkëmbet, dhe në këtë vit të ri me jo shumë ndryshime nga një vit më parë, por me një performancë të përqendruar në disa sektorë.

Ekonomia shqiptare pritet të rritet me rreth 3–3.5%, sipas parashikimeve zyrtare dhe institucioneve ndërkombëtare. Ndërsa motorët kryesorë të rritjes mbeten turizmi, konsumi i brendshëm dhe investimet publike, veçanërisht në infrastrukturë dhe energji.

Shteti vijon të mbetet kontribuesi kryesor me taksat neto dhe rritjen e pagave, ndërsa ekonomia është fitimprurëse vetëm nga disa sektorë.

Një tregues që konkurrueshmëria, një faktor i rëndësishëm për të nxitur rritjen e qëndrueshme, po ulet: dy sektorë të rëndësishëm, bujqësia dhe industria, kanë dhënë efekt negativ në 2025-n, teksa po i lëshojnë gjithnjë e më shumë terren importeve. Ndërsa këto pritshmëri pritet të vazhdojnë edhe për 2026.

Për 2026, qeveria parashikon vijimin e konsolidimit fiskal, me kontroll të shpenzimeve dhe menaxhim të borxhit publik, ndërsa hapësira për politika sociale do të jetë e kufizuar, por e orientuar drejt shtresave në nevojë. Viti 2026, me buxhetin historik, është konsideruar edhe si viti i pensioneve.

Në tregun e punës, sfida kryesore mbetet mungesa e fuqisë punëtore dhe emigracioni, ndërsa synohet rritje graduale e pagave dhe formalizim më i madh i ekonomisë.

2026 pritet gjithashtu të jetë vit reformash, me fokus te skema e pensioneve dhe përmirësimi i klimës së biznesit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB