Këtë të premte hapet merkato e janarit dhe skuadrat e Serie A do të kenë një muaj kohë për të përforcuar skuadrat; nga levizjet te Roma te operacionet e Juventusit

Zirkzee-Roma, çfarë mungon?

 

Gian Piero Gasperini kërkon të përforcojë sulmin dhe Drejtori Sportiv Massara po punon në dy fronte; Joshua Zirkzee dhe Giacomo Raspadori. Zirkzee është emri i parë në listën e trajnerit të Romës, teksa ai po e ndjek prej muajsh. Në çfarë pike janë tratativat? Futbollisti ka thënë ‘po’, por mungon akoma miratimi i Manchester United që në këto orë po përshpejton hapat për zëvendësuesin e holandezit, Mateta nga Crystal Palace. Ardhja e Matetës në Old Trafford do të mund të lirojë menjëherë Zirkzee, që është i bllokuar edhe për shkak të mungesës së Mbeumo dhe Dialloma që janë në Kupën e Afrikës. Gjithsesi, duhet gjetur marrëveshja mes Romës dhe Manchester United; flitet për një operacion 30-40 milionë euro mes huazimit dhe blerjes së kartonit. Ndërkaq, Raspadori është më pranë por që verdhekuqtë të marrin të dy futbollistet duhet të sakrifikohen Ferguson dhe Dovbyk

Chiesa te Juventus si zëvendës i Yildiz?

Juventus po kërkon një zëvendës për Yildiz dhe opsioni i madh është rikthimi te bardhezinjtë i Federico Chiesa. Sulmuesi italian, tani në radhët e Liverpool, ka qenë pjesë e Zonjës së Vjetër për 4 sezone dhe në 2025 u transferua te The Reds pasi nuk ishte në planet e Thiago Mottas. Për 28 vjeçarin bëhet fjalë për një operacion huazimi, jo shumë e kushtueshme dhe një goditje e sigurt sepse Spalletti e njeh shumë mirë Chiesan duke qenë se ka punuar me të kur ishte trajner i  kombëtares Italiane. Tani për tani është vetëm një ide dhe shumë do të varet nga vullneti i Liverpool që duhet të vendosë nëse do të privohet apo jo nga shërbimet sulmuesit italian dhe të vetë Chiesës me këtë të fundit ndihet mirë në Premier League, por intrigohet edhe nga ideja e kthimit në Itali

Frattesi-Inter, më pranë lamtumirës?

 

E ardhmja e Davide Frattesi është në dyshim; mesfushori i Interit është lënë mënjanë nga Cristian Chivu(vetëm 506 minuta aktivizim në total dhe 2 gola të shënuar, të dy në Coppa Italia) dhe është në shënjestrën e Juventusit. Por operacion nuk është i lehtë për t’u realizuar sepse klubi zikaltër kërkon të arkëtojë të ardhura dhe kërkon një shifër prej 30-35 milionë euro dhe nuk ka ndërmend ta japë futbollistin me huazim sidomos në Itali. Ndërsa bardhezinjtë, preferojnë një operacion me huazim pa pasur detyrim blerjen e kartonit të Frattesit në fund të sezonit. Për momentin, tratativat nuk kanë nisur, por nuk përjashtohet mundësia që të ketë zhvillime të reja në këtë pikë. Ndërkaq, për Frattesin po vlerësohen edhe pista të tjera, në mënyrë të veçantë ajo turke ku është vënë në lëvizje Fenerbahçe

Juventus, Tonali do të vijë në verë?

 

Luciano Spalletti gjithnjë e ka pasur një playmaker në skuadrat e tij. Te Juventus nuk e ka, Locatelli është gjithnjë e më shumë një mesfushor që luan para mbrojtjes, ndërsa Thuram edhe pse ka karakteristika të ndryshme është më vertikal. Juventus ëndërron goditjen e madhe në mesfushë në merkaton e verës dhe objektivi kryesor është Sandro Tonali. Për këtë arsye në jana klubi torinez kërkon të plotësojë mungesën e këtij roli pa shpenzuar shumë, për të mos thënë asgjë. Në këtë pikë shfaqet kandidatura e Guido Rodriguez që po luan shumë pak te West Ham dhe që mund të vijë në Torino me huazim. Argjentinasi është një futbollist ekspert që ka pasur disa sezone të mira te Betis Sevilla duke merituar edhe grumbullimin në kombëtaren Albiceleste në Botërorin e Katarit. Rodriguez ka një teknikë diskrete e sidomos një vizion të mirë lojë, gjë që i duhet Juventusit

Roma-Dragusin, a mund të realizohet?

Jo vetëm Zirkzee; në listën e Romës është edhe Radu Dragusin, ish mbrojtësi i Juventus, Sampdorias, Salernitanës dhe Genoas, tani te Tottenham. Qendërmbrojtësi rumun që gjuan mirë me kokë, sapo është kthyer në fushat e lojës pas 11 muajsh rikuperimi nga një dëmtim të ligamentit në gjurin e djathtë, mund të gjejë sëish shtëpi në Serie A. Gjithçka do të varet nga synimet e klubit anglez që në janar të 2024 shpenzoi mbi 30 milionë euro për ta sjellë në Premier League dhe ende nuk ka shprehur dëshirën për t’u privuar prej tij. Roma dëshiron një mbrojtës më shumë për të pasur më shumë alternativa në prapavijë, por pa shkuar përtej formulës së huazimit. Si alternativë, Gasperinit i pëlqen francezi Axel Disasi i Chelsea.

Insigne te Lazio, çfarë mungon?

Lorenzo Insigne te Lazio, një operacion për të cilin po flitet prej kohësh, por që nuk është perfeksionuar ende dhe nuk është e thënë që kjo të ndodhë shumë shpejt. Sulmuesi, që vjen pas një eksperience me Toronton, është lojtar i lirë që nga muajt e verës dhe është ende në pritje të një sistemimi. Sarri e pëlqen me trajnerin që e ka kërkuar për ta pasur nën urdhrat e tij dhe agjenti i tij Andrea D’Amico ka gjetur një akord me Lazion për pagë 1.4 milionë euro në sezon me opsion për rritjen e saj në 2.4 milionë. Por operacioni ka mbetur pezull pasi Lazio në këtë moment ka si prioritet gjetjen e pasuesit të Castellanos që do të shkojë te West Ham për 30 milionë. Insigne mund të vijë, por jo menjëherë

 

Mainoo-Napoli, gjithçka ka ngrirë?

Merkato dimërore i Napolit do të jetë me diferencë zero që do të thotë se cdo operacion blerjeje duhet të bilancohet me një shitje me të njëjtën vlerë financiare. Për këtë arsye, strategjitë e De Laurentiis, Manna dhe Conte kanë ndryshuar  në krahasim me disa muaj më parë, për shkak edhe të infermierisë. Kështu mesfushori që ishte urgjencë deri përpara pak javësh jo vetëm që nuk është më një prioritet por mund të mos vijë fare në janar. Për këtë arsye, emri i Kobbie Mainoo duket se është zhdukur nga radarët.

Baldanzi i mbyllur, ku do të luajë?

Konkurrenca është e madhe, shumë shpejt rrezikon të bëhet e tepruar. Tommaso Baldanzi pritet të largohet nga Roma i ndërgjegjshëm se e bëri punën e tij në fazën e parë të kampionatit. Trekuartisti pritet nga Verona që në verë ishte shumë pranë marrjes së tij. Por Baldanzi qëndroi te verdhekuqtë dhe tani është maturuar koha për largimin e tij nga kampionati italian. Por kujdes nga efekti De Rossi; trajneri i Genoas e njeh shumë mirë Baldanzin dhe iu kërkoi drejtuesve të tij që të ndërhyjnë në atë zonë të fushës ku i pëlqen Baldanzit të luajë. Nuk përjashtohet hyrja në garë e Genoas për të bashkë me Parmën, ndërsa Pisa duket më e mënjanuar

 

Bologna: Leysen apo Freytes?

Bologna e ka të nevojshme të përforcojë mbrojtjen dhe tani Sartori po kërkon t’i plotësojë dëshirën Italianos. Si gjithnjë janë studiuar disa kandidatura dhe mes emrave më interesantë është ai i Fedde Leysen, 22 vjeçari belg i rritur në akademinë e PSV Eindhoven dhe një pikë e fortë e Union Saint-Gilloise. Edhe gjatë muajve të verës, Bologna tentoi të marrë qendërmbrojtësin që mund të luajë edhe në krahun e majtë, por vlera prej 12 millionë eurosh u konsiderua shumë e lartë. Tani Bologna mund të tentojë përsëri. Por sytë janë edhe te Juan Pablo Freytes, mbrojtësi argjentinas që po kërkohet edhe nga klube të tjerë dalë paraqitjeve të tij në Botërorin e Klubeve ku arriti deri në gjysmëfinale me Fluminensen

Top Channel

DIGITALB DIGITALB