Guardiola flet hapur për të ardhmen: Një ditë do të largohem nga Manchester City…
Pep Guardiola ka deklaruar se Chelsea ka humbur “një trajner të jashtëzakonshëm” pas shkarkimit të Enzo Marescas, ndërsa ka hedhur poshtë zërat se italiani mund ta zëvendësojë atë te Manchester City.
Marrëdhënia e tensionuar e Marescas me drejtuesit e Chelsea-t arriti kulmin ditën e djeshme, kur trajneri 45-vjeçar u shkarkua pas një sërë përplasjesh me bordin drejtues. Në ambientet e Stamford Bridge kishte kohë që qarkullonte ideja se Maresca po përpiqej të përgatiste një largim të parakohshëm.
Pas shkarkimit, u raportua se Maresca – ish-asistent i Guardiolës te Manchester City gjatë sezonit 2022/23 – kishte diskutuar mundësinë për ta pasuar spanjollin në rast se ky i fundit do të largohej nga Etihad këtë verë.
Megjithatë, pas barazimit të City-t ndaj Sunderland, që i kushtoi ekipit afrimin me kryesuesit e Arsenalit, Guardiola reagoi ashpër ndaj këtyre spekulimeve. “Nuk kam asnjë ide. Jam i sigurt që ju keni më shumë informacion se unë. Është vetëm një thashethem dhe nuk kam pse të komentoj diçka që nuk e di,” u shpreh ai.
Guardiola ironizoi edhe zërat për largimin e tij: “Doni të më shkarkoni? Rroga ime është shumë e lartë dhe kam edhe një vit kontratë”, tha ai me nota sarkastike.
Pavarësisht spekulimeve se mund të largohet para përfundimit të kontratës së tij prej 19.5 milionë paundësh në vit, Guardiola theksoi se ndihet i respektuar dhe i mbështetur nga drejtuesit e klubit. “Kam kontratë, jam i lumtur këtu dhe dua të vazhdoj të luftoj me ekipin tim. Një ditë do të largohem, ju premtoj, kjo është e sigurt, por jo tani”, u shpreh ai.
Trajneri katalanas shtoi se drejtuesit e Manchester City-t i kanë qëndruar pranë edhe në momentet e vështira dhe se aktualisht dëshira e tij është të vazhdojë në pankinën e kampionëve të Anglisë.
Top Channel