Tragjedia në Zvicër/ Flet dëshmitari: Theva dritaren për t’i ndihmuar njerëzit të dilnin jashtë

01/01/2026 16:58

Një dëshmitar okular i zjarrit tragjik që përfshiu lokalin “Le Constellation” në Zvicër ka rrëfyer për BBC momentet dramatike kur u përpoq të ndihmonte personat e bllokuar brenda ndërtesës në flakë.

Ai tregon se gjithçka ndodhi shumë shpejt. “Dëgjuam një shpërthim të fortë dhe menjëherë pas tij pamë sasi të madhe tymi”, shprehet dëshmitari. I shtyrë nga frika se vëllai i tij i vogël mund të ndodhej brenda lokalit, ai vendosi të vepronte pa hezitim.

“Sapo arrita, u përpoqa të thyeja dritaren për t’i ndihmuar njerëzit të dilnin jashtë”, tregon ai. Pasi hyri brenda, u përball me skena tronditëse dhe njerëz të plagosur rëndë nga zjarri.

Sipas dëshmitarit, shërbimet e emergjencës, zjarrfikësit dhe mjekët, mbërritën shpejt dhe morën situatën nën kontroll. Megjithatë, ai u përpoq të ndihmonte sa mundi, duke u dhënë ujë dhe rroba të lënduarve, madje duke ia dhënë xhaketën e tij një personi të plagosur.

“Është shumë shqetësuese, sepse ky ishte një bar ku shkoja pothuajse çdo ditë. Pikërisht ditën që nuk shkova, ndodhi kjo tragjedi”, përfundon ai.

Top Channel