Cilët janë futbollistët dhe trajneret më të paguar të çdo Lige, e zbulon ‘L’Equipe’
Neymar ka vendosur t’i japë fund spekulimeve që e lidhnin me një transferim te Inter Miami apo me një rikthim në Evropë, duke rënë dakord për një kontratë të re me Santos. Sipas mediave braziliane, ylli 33-vjeçar do të qëndrojë në Vila Belmiro të paktën deri më 31 dhjetor 2026, periudhë që përfshin edhe Kupën e Botës 2026.
Sipas Globo Esporte, marrëveshja e re do ta mbajë Neymarin te klubi i fëmijërisë së tij edhe për një vit tjetër kalendarik, në një moment kur dukej se lojtari mund të kërkonte një sfidë të re pasi ishte futur në statusin e lojtarit të lirë.
Aktualisht, Neymar po kalon një tjetër fazë rehabilitimi pas një ndërhyrjeje kirurgjikale në gju, ndërsa ka vendosur të qëndrojë në një ambient të njohur, pranë familjes dhe miqve, për të përgatitur rikthimin e plotë në fushë.
Santos është i kënaqur me vendimin e kapitenit të tij, edhe pse Globo thekson se paga mujore e Neymarit i kushton klubit sa “katër ose pesë lojtarë të zakonshëm”. Përveç kontratës sportive, ai përfiton edhe nga një marrëveshje e veçantë për të drejtat e imazhit me kompaninë NR Sports.
Vendimi për të rinovuar erdhi pas një mbylljeje pozitive të sezonit 2025, ku Neymar luajti rol vendimtar në shpëtimin e Santos nga rreziku i rënies nga kategoria. Pas rikthimit nga një dëmtim muskulor në nëntor, ai realizoi 5 gola në 7 ndeshje, përfshirë edhe një tregolësh ndaj Juventude.
E ardhmja e Neymarit ishte vënë shpesh në pikëpyetje për shkak të faktit se viti 2026 është vit Botërori dhe lojtari ka nevojë për vazhdimësi për të qenë pjesë e përfaqësueses së Brazilit. Neymar është golashënuesi më i mirë në historinë e “Seleçaos” me 79 gola në 128 paraqitje, por nuk ka luajtur për kombëtaren që prej shtatorit 2023, kur pësoi një dëmtim të rëndë në ligamentet e gjurit.
Së fundmi, ai ka deklaruar ambicien për t’u rikthyer në majë: “Do të bëjmë gjithçka të mundur, madje edhe të pamundurën, për ta rikthyer Kupën e Botës në Brazil. Nëse arrijmë në finale, premtoj se do të shënoj.”
Trajneri i Brazilit, Carlo Ancelotti, ka lënë të hapur mundësinë e rikthimit të Neymarit në kombëtare, por ka qenë i qartë se asnjë vend nuk do të jepet nga nostalgjia. “Në maj do të zgjedh ekipin për Botërorin. Nëse Neymar e meriton dhe është më i mirë se të tjerët, do të luajë. Nuk i kam borxh askujt asgjë”, është shprehur tekniku italian.
Top Channel